Mbi 60 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova e vendet e tjera të rajonit, përfshirë edhe konkurues nga Italia, Anglia, Hollanda, Greqia, dhe deri tek Kina e largët, matën forcat e tyre në aktivitetin tashmë tradicional që organizohet për herë të 14-të radhazi në pikën turistike të Shirokës –Shkodër “Triathlon Labeat” 2026.
Merita e këtij aktiviteti shkon për shoqatën e sportive të ujit që drejtohet nga Elvis Bilali dhe Kliti Hoti, ky i fundit njëkohësisht deputet në Parlamentin Shqiptar, i cili vazhdon të jetë pasionant i sporteve, të cilët në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër e kanë shndërruar këtë garë në traditë të përvitshme.
Një program i larmishëm individual dhe stafetë, ku gara përfshinte tre disiplina duke nisur me notin në Molon qëndrore të Shirokës me distancë 750 metër, për të vijuar më pas me çiklizëm ku distanca ishte me itenerar Shirokë-Zogaj e kthim dy herë me distancë 20 kilometra, dhe mbyllej me atletikën, vrapimin e maratonës me distancë 5 kilometra, qëndra e Shirokës-Restorant Arbri dhe kthim.
Gara këto që u ndoqën me shumë interes, jo vetëm nga shkodranët, dashamirësit besnikë të këtij aktiviteti, por edhe shumë të tjerë të ardhur nga Tirana dhe rrethet e tjerë të Shqipërisë.
Mes të pranishmëve që e shijuan fort këtë aktivitet ishin edhe grupe të ndryshme të huaja turistike që rastësisht kishin zgjedhur pikën turistike të Shirokës duke mos nguruar t’i bashkohen eventit, ku me fotot dhe filmimet e shumta, morën me vete kujtime mbresëlënëse nga spektakli i dhuruar fundjavën e kaluar në Shirokë.
Mes konkuruesve të huaj, padyshim që spikatjen më të madhe e bëri gazetarja angleze, Alice Taulor, e cila për disa vite shërben pranë Televizionit Euroneës-Tiranë. Me pasionin e kahershëm për sportin, dhe falë fizikut të saj shtatlartë model, përgatitja e saj speciale në të tre disiplinat, not-çiklizëm-matonë, bëri që ajo të merrte duatrokitje të shumta nga të pranishmit.
Dhe, për të shkuar më tej me aglezen tashmë të shqiptarizuar Alice Taulor, në prononcimin që ajo dha për Veriu Sport, u shpreh me superlativa për organizimin e këtij aktiviteti, ndërsa e veçoi Shkodrën si qytetin që i ka të gjitha dhe ndër më të bukurit në Shqipëri, me një natyrë të mrekullueshme: Liqeni, Malet, Lumejt, Deti, etj, të cilin e viziton shumë shpesh.
Emocionet e garave përkatëse, u pasuan me ceremoninë e mbylljes, ku drejtuesit e shoqatës së ujit, Elvis Bilali dhe Kliti Hoti, së bashku me përfaqësuesin e zyrës së sporteve pranë Bashkisë Shkodër, Alban Hasani, dorëzuan diplomat dhe kupat përkatëse për fituesit.
Vendi i parë për femra shkoi për Dëborah Keçi nga Tirana, një nga sportistet model të shumë edicioneve “Triathlon Labeat” Shirokë-Shkodër.
Për meshkuj, vendin e parë individual e meritoi vlonjati, Helios Billa.
Ndërsa, për konkurimin e stafetës, fitues i vendit të parë ishte treshja shkodrane: Diamant Poja, Arbër Hysa dhe Flavio Bleta.
Dhe, në mbyllje, por shumë e rëndësishme ka të bëjë me organizimin e edicionit të ardhshëm, atë të 15-tin, ku organizatorët Elvis Bilali dhe Kliti Hoti, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Ministrinë e Brendshme, e kanë projektuar ta organizojnë atë në bashkëpunim me shtetin fqinjë malazez, me itenerar, Shirokë-Zogaj-Krajë.
(Video) Pamje nga garat e “Triathlon Labeat” 2026-Shirokë, ceremoninë e mbylljes(të plotë), si dhe prononcimet e organizatorit Kliti Hoti, fituesit nga Vlora, Helios Billa, dhe gazetares angleze, Alice Taulor, konkuruese në garë, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


