Kuqeblutë e Vllaznisë vijojnë përgatitjet për sfidën e radhës, atë të javës së katërt të Abissnet Superiore, e cila do të jetë në transfertë me Laçin pasditen e së shtunës, në orën 16:00.
Një duel ky që po pritet me interes nga tifozëria shkodrane, ku synohet dhe shpresohet të realizohet fitorja e parë e kuqebluve në këtë fillim kampionati.

Por, ajo që tërheq vemendjen ka të bëjë se pjesë stërvitjes së kuqebluve është edhe Elseid Hysaj, futbollisti i kombëtares kuqezi, karriera sportive e të cilit ka qënë brilante në serinë A italiane.
Për praninë e Hysajt në stervitjet e Vllaznisë është folur dhe komentuar edhe më herët, dhe për shumë kënd, është konsideruar një periudhë pak ditore, siç ka ndodhur edhe me futbollistë të tjerë shkodranë që jetojnë jashtë shtëpisë, por kjo e rastit Hysaj është tjetër gjë, sepse prania e tij në gjirin e kuqebluve është më e gjatë.
Siç shikohet edhe në videon e realizuar nga kolegu ynë Mikel Thepina, Elsi vijon me shumë seriozitet përgatitjet duke zbatuar me përpikmëri detyrat dhe programin e trajnerit Edi Martini përkrah pjesëtarëve të ekipit Vllaznia.
Nga sa shikohet në fushën stërvitore, por edhe nga deklaratat e vetë futbollistëve dhe stafit të Vllaznisë, forma sportive e Hysaj është në mënyrën më të mirë, dhe kjo i shërben plotësisht atij që të jetë gati për ndeshjet e radhës të kombëtares të fundshtatori dhe fillimtetorit ndaj Bjellorusisë, . San Marinos dhe Finlandës.
Ndërkohë, ajo që ka edhe më tepër rëndësi, ndërsa Hysaj është në pritje të gjetjes së ekipit të ri, në Shkodër kanë filluar të mendojnë se mes KF Vllaznisë dhe Hysajt, të ketë një marrëveshje që ai të luajë për pjesën e parë të sezonit, deri në janar me uniformën e Vllaznisë.


