Basania FC- AF Eagles 2 – 1(Shënues: Rigerto Çezma 6, Arsid Gërbeti 85’/Herti Bashari 53’)
E nisur të shtunën me pesë duelet e para, ndeshja e fundit e javës së parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për grupin A të Kategorisë e Dytë, ka qënë ajo e së dielës në mes Basania FC dhe Eagle Football.
Një ndeshje kjo që falë punimeve që po kryehen në fushën sportive të Bushatit u paralajmërua se do të luhej në Kompleksin Sportiv Zmijani, por më pas u zhvendos në stadiumin “Reshit Rusi”.
Basania e riformatuar në këtë sezon të ri, duke nisur nga pankina me trajnerët Arbër Shytani dhe Mario Kola dhe me djem të rinj të perspektivës në përbërje, si dhe e mbështetur pa kursim nga presidenti Ermir Shimaj, ka punuar me plot përkushtimn gjatë ditëve përgatitore për të nxjerrë në fushë një skuadër kualitative.
Goli i shënuar shumë shpejt, që në minutën e gjashtë me autor Rigerto Çezma, dha sinjalet pozitive për një nisje të suksesshme të sezonit. Avantazh që nën shoqërinë e entuziasmit të tifozërisë bushatase u mbajt në fuqi deri në mbarim të pjesës së parë.
Por, nga ana tjetër, duke pasur përballë, AF Eagles, një skuadër ambicioze që nën kujdesin e drejtuesit të klubit Andi Matraxhiu, një njohës i mirë i futbollit, si gazetar sportiv dhe po aq edhe si menaxher futbolli dhe në pankinë me një nga trajnerët me emër të futbollit shqiptar si Nikolin Çoçlli, reagon në nisje të pjesës së dytë duke e barazuar rezultatin në 1 me 1, falë golit të shënuar nga Herti Bashari në të 53-tën minutë.
Minutat në vazhdim shoqërohen me një luftë të fortë sportive, me Basanian që këmbëngul për golin e fitores, si dhe miqtë nga ana tjetër që kishin ardhur me të njëjtin objektiv.
Fatin e ndeshjes e vendos Arsid Gërbeti, i cili pesë minuta nga fundi, duke shfrytëzuar krosin mjeshtror të Egzon Shimajt dhënë nga goditja e këndit, godet saktë brenda zonës rreptësisë, duke shënuar golin e avantazhit dhe të fitores për Basanian me rezultatin 2 me 1.
Tre pikët e para që në start të sezonit të ri futbollistik kanë krijuar një klimë shumë pozitive tek skuadra bushatase, në objektivin e së cilës është që të jetë ndër skuadrat e gjashtëshes së parë të kampionatit.
Pas javës së Tabelën e klasifikimit e kryesojnë Gramshi, Lushnja, Basania, Erzeni dhe Vllaznia B me nga 3 pikë deuke lënë pas Luzin e Vogël dhe Partizanin B me nga 1 pikë, Eagle Football, Shiroka, Tërbuni, Naftëtari, Veleçiku me 0 pikë.
(Video) Përmbledhja e ndeshjes, Basania FC-AF Eagles, 2-1.
Gaspër MARKU


