Turi i parë i Kupës së Shqipërisë për sezonin 2026-2027 do të ngrejë siparin të martën më gjashtë tetor me tri përballje që do të përcaktojnë skuadrat e para të kualifikuara për në fazën pasardhëse të kompeticionit.
Sipas programit të paraqitur të tre ndeshjet janë planifikuar të nisin në orën 13:30 ku në fushë do të zbresin Flamurtari,Skënderbeu dhe Besëlidhja,përballë Gramshit,Naftëtarit dhe Sopotit.
Një nga takimet e kësaj dite do të jetë Flamurtari–Gramshi me kuqezinjtë vlonjatë që do të kërkojnë të shfrytëzojnë eksperiencën e tyre për të siguruar kalimin në turin tjetër. Nga ana tjetër, Gramshi synon të zhvillojë një paraqitje pozitive dhe të kërkojë surprizën përballë një kundërshtari me traditë në futbollin shqiptar.
Skënderbeu do të përballet me Naftëtarin në një sfidë ku bardhekuqtë do të kërkojnë të konfirmojnë diferencën e kategorive dhe të vazhdojnë rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë. Naftëtari nga ana tjetër do të synojë të shfrytëzojë mundësitë që do t’i krijohen gjatë takimit për të vënë në vështirësi vendasit.
Përballja tjetër do të jetë ajo mes Besëlidhjes dhe Sopotit dy skuadra që do të kërkojnë kualifikimin në një kompeticion ku çdo gabim mund të rezultojë vendimtar. Lezhjanët do të synojnë të shfrytëzojnë eksperiencën e grupit, ndërsa skuadra nga Librazhdi do të kërkojë të tregojë cilësitë e saj dhe të vazhdojë aventurën në Kupë.
Të tria përballjet do të zhvillohen me sistem eliminimi direkt me një takim të vetëm,ku fituesit do të sigurojnë kalimin në fazën tjetër të kompeticionit.
Kështu e marta e 6 tetorit do të shënojë nisjen e turit të parë të Kupës së Shqipërisë ndërsa të mërkurën më 7 tetor do të zhvillohen 13 takimet e tjera të programuara gjithashtu për në orën 13:30.
Turi i parë pritet të sjellë rivalitet mes skuadrave të kategorive të ndryshme, me objektivin e përbashkët për të vazhduar sa më gjatë rrugëtimin në një nga kompeticionet tradicionale të futbollit shqiptar.
Fatos LAMAJ


