Një lajm i mirë vjen për sportdashësit e Qytetit të Milotit dhe zonës së Kurbinit në përgjithësi, pasi ato do të përfaqësohen në futbollin shqiptar me KF Miloti. Një klub, i cili është ndërtuar me një projekt të ri futbollistik që e nis nga Kategoria e tretë!

Nga sa bëhet e ditur KF Miloti është klubi më i ri i futbollit nga Miloti, i themeluar më 7 gusht 2026, me synimin për të ndërtuar një projekt serioz dhe afatgjatë që përfaqëson qytetin e Milotit dhe zonën e Kurbinit në futbollin shqiptar.
Klubi është organizuar si KF MILOTI SHPK dhe në sezonin 2026/27 do të marrë pjesë për herë të parë në Kategorinë e Tretë të kampionatit shqiptar, nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
President dhe Administrator i klubit është Daniel G. Gega, ndërsa drejtimi teknik i skuadrës i është besuar trajnerit Shpendi Kumbarçe.
KF Miloti është një projekt i nisur nga zero. Krahas ngritjes së strukturës administrative dhe sportive, është punuar për përzgjedhjen dhe ndërtimin e skuadrës, duke zhvilluar prova me futbollistë të ndryshëm, seanca stërvitore dhe ndeshje miqësore në funksion të përgatitjeve për kampionatin.
Skuadra zhvillon aktivitetin e saj në Kompleksin Sportiv “Loro Boriçi” në Kamëz, ndërsa COHL’S Albania është partneri teknik i KF Milotit për sezonin 2026/27.
Identiteti i klubit është i lidhur ngushtë me Milotin. Në stemën e KF Milotit është përfshirë Ura historike e Milotit mbi lumin Mat, së bashku me elemente që përfaqësojnë territorin dhe historinë e zonës. Ngjyrat kryesore të klubit janë jeshilja, e bardha dhe ari.
Përtej skuadrës së parë, projekti synon që me kalimin e kohës të krijojë një strukturë të qëndrueshme dhe të investojë në zhvillimin e futbollit në zonë, duke krijuar mundësi që në të ardhmen gjithnjë e më shumë të rinj nga Miloti dhe Kurbini të rriten dhe të përfaqësojnë klubin e tyre.
7 gushti 2026 shënon kështu pikënisjen e një historie të re për futbollin në Milot. Sezoni 2026/27 do të jetë sezoni i parë në historinë e KF Milotit dhe fillimi i një projekti që synon të ndërtohet hap pas hapi.
Portali Veriu Sport, i uron suksese KF Miloti, me dëshirën dhe bindjen se shumë shpejt, krahas skuadrës së parë, klubi të ketë edhe Akademinë e Futbollit, duke i dhënë mundësinë brezave të ndryshëm të fëmijëve të asaj zone të angazhohen në sportin e bukur të futbollit.
Gaspër MARKU


