Me mbylljen e ndeshjeve të kombëtares, rikthehen emocionet e kampionateve kombëtare. Vemendja më e madhe është e përqëndruar tek kategoria Abissnet Superiore, ku sektori i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka vendosur që javën e gjashtë ta luajë në dy ditë, të shtunën dhe të dielën e 10 dhe 11 tetorit 2026.
Sa i takon Vllaznisë, e cila në këtë javë do të ketë përballë Dinamon, kjo sfidë është programuar të luhet të dielën në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 18:30.
Krahas sfidës Vllaznia-Dinamo, po në këtë ditë dhe në njëjtën orar është programuar të luhet derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana, ndërkohë që më herët, në orën 13:30 është sfida tjetër, Laçi-Egnatia.
Java e gjashtë e Abissnet Superiore hapet të shtunën me dy duelet e tjera, Teuta – Skënderbeu dhe Elbasani – Vora, takime këto që luhen në të njëjtën orar, 18:30.
Duke qëndruar tek Vllaznia, periudha e ndërprerjes së kampionatit i ka shërbyer trajnerit të ri, hungarezit Csaba Laszlos të ketë kohën e duhur të dispozicion për t’u ambientuar më shumë me skuadrën kuqeblu. Seancat stërvitore si dhe miqësorja me Vllazninë B, kanë mjaftuar për të konstatuar se tekniku Laszlos ka filluar të vërë dorë në skuadër, jo vetëm me individë, por më së shumtmi edhe në rrjeshtimin dhe skemat e lojës së kuqebluve.
Që do të thotë, se ndërsa nën drejtimin e Edi Martinit, në të shumtën e rasteve, Vllaznia ka luajtur në prapavijë me tre mbrojtës, hungazezi po eksperimenton të luaj me katër mbrojtës në vijë të drejtë.


