Sunday, November 24, 2024

4 ndeshje në 7 ditë, mos është pak si shumë për tapetin e “Loro Boriçit ?!

Lexo

Nga e diela e 1 nëntorit në të mërkurën e 4 nëntorit, stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës priti tre ndeshje futbolli, dy për meshkuj dhe një për femra. Sipas radhës, e para ishte turi i parë i Kupës së Shqipërisë me ndeshjen Vllaznia-Devolli për të vijuar me të martën e 3 nëntorit me një sfide shumë të rëndësishme ndërkombëtare, siç ishte ajo Liges së Kampioneve të Europës në mes Vllaznisë dhe  ALG Spor të Turqisë, ndërkohë që një ditë më pas ishte radha përsëri e Vllaznisë së meshkujve, por këtë radhë për javën e parë të kampionatit. Tre ndeshje në katër ditë, të cilat që të tria u shoqëruan me fitore për ekipet e Vllaznisë. Përpos kënaqësisë që të ofron rezultati pozitiv, ajo që tërheq vemendjen ka të bëjë me infrastrukturën dhe konkretisht me tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili në harkun kohor të këtyre ditë ka provuar të shkelet jo pak, aq më tepër kur tek ndeshja ndërkombëtare e femrave për të përcaktuar ekipin kualifikues u luajt edhe shtesa prej 30 minutash dhe më pas edhe gjuajtja e penalltive.

Ndërkohë, kalendari i Vllaznisë për ta luajtur këtë të diele javën e dytë të Superliges jashtë në transferten korçare u konsiderua si një frymëmarrje për këtë impiant sportiv. Kjo, sepse, javën e ardhshme, të mërkurën dhe të dielen “Loro Boriçi” skuadra kuqeblu do të presë edhe dy ndeshje të tjera brenda, Vllaznia-Elbasani në mesjavë për turin e dytë të Kupës, si dhe në fundjavë, Vllaznia-Tirana për kampionat. Ndërkohë, që në pritje është edhe ndeshja e turit të dytë të Liges së Kampioneve të Europës në futboll për femra. Por, informacioni i dites së enjte që FSHF ka vendosur që sfida e javës së dytë të Superliges, Kukësi-Partizani të luhet të dielen në “Loro Boriçi” e rëndon në një farë mënyrë situaten sa i përket tapetit të fushës së lojës.

Problematika

Për hir të së vertetes, kuqeblutë kanë vuajtur jo pak rreth problematikes së tapetit të gjelbërt ku amortizimi i tij sistematik i përvitshëm shoqëruar edhe me rimbjelljen e barit e ka detyruar skuadren të shtegtojë në stadiume të tjera për të luajtur ndeshjet e veta të kampionatit, ku përpos shpenzimeve financiare e ka pësuar në disa raste edhe në mosmarrjen e rezultave pozitive. Fatmirësisht, rimbjellja e barit këtë sezon koinçidoi me periudhen e bojkotit të Liges Profesioniste duke favorizuar Vllazninë me përfundimin në kohë të procesit për normalizimin e tapetit. Ndërkohë, falë punës së mirë të ekipit të terreneve sportive duke i qëndruar në kokë çdo detaji që shfaqej përpara ndeshjeve, në pushim, dhe sidomos në mbyllje të saj, ka bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të cilësisë së terenit. Përpos kësaj, Vllaznia dhe drejtuesit e saj kanë qënë me fat që në këtë kalendar të ngjeshur nuk ka patur reshje shiu, sepse në të kundërt, gjendja e tapetit do të kishte qënë më e rënduar.

Mesazhi i specialistëve

E gjitha ajo sa trajtuam më sipër, ka të bëjë me një apel nga ana e specialistëve të terreneve sportive, të cilët janë të mendimit për më tepër kujdes dhe vigjilence në këtë drejtim për ta mbajtur nën kontroll situaten në fjalë, në mënyrë që gjendja e terrenit të mos shkojë në përkeqësim si ajo e “Selman Stermasit”, apo edhe “Air Albania Stadium”, që i detyron skuadrat e kryeqytetit të shtegtojnë në qytete të tjerë të Shqipërisë për të luajtur ndeshjet e tyre si pritës.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img