Nga Endri ÇINARI – Nga Vllaznia e Martinit tek Vllaznia e Laszlo, ndryshimet në emra, role dhe skema

Ndryshimi i trajnerit tek Vllaznia nuk ka sjellë vetëm një emër të ri në pankinë, por edhe një tjetër mënyrë të konceptuari lojën. Edi Martini dhe Csaba Laszlo kanë pasur qasje të ndryshme në drejtimin e kuqebluve, diferenca që duken qartë në skemën e përdorur, zgjedhjet e titullarëve dhe rolet që u janë dhënë futbollistëve. Nëse Martini kishte krijuar një identitet të bazuar kryesisht te 3-5-2, hungarezi ka orientuar skuadrën drejt 4-2-3-1.

Ndryshimi nis që nga porta. Me Martinin, Avram ishte zgjedhja e parë mes shtyllave dhe kishte një status të konsoliduar në formacion. Me ardhjen e Laszlos, situata ndryshoi dhe Jukaj fitoi besimin e trajnerit. Një zgjedhje që tregon edhe dëshirën e teknikut hungarez për të bërë ndryshime në hierarkinë e skuadrës dhe për t’u dhënë hapësirë elementëve që i konsideron më të përshtatshëm për mënyrën e tij të lojës. Edhe në mbrojtje diferencat janë të dukshme. Në periudhën e Martinit, treshja Dumfur-Gurishta-Pusi ishte ndër zgjedhjet më të përdorura në prapavijë. Me Laszlo, nga kjo linjë ka “mbijetuar” vetëm Gurishta, ndërsa trajneri hungarez ka ndryshuar tërësisht konfigurimin e repartit. Bardhi dhe Avduli po marrin më shumë hapësirë në krahë, ndërsa Musta është përdorur në qendër të mbrojtjes, duke krijuar një prapavijë me karakteristika të tjera.

Në mesfushë, Martini kishte një strukturë më të paracaktuar, me Qaton, Drosin dhe Mehmetin si pjesë të rëndësishme të organizimit, ndërsa në krahë aktivizoheshin Uldedaj dhe Musta. Laszlo ka ruajtur disa prej këtyre emrave, por ka ndryshuar ekuilibrat. Një nga lëvizjet më interesante të tij ka qenë “zbulimi” i Obinës, të cilit i ka besuar minuta dhe një rol në mesfushë, duke e vendosur në krah të Drosit dhe Mehmetit. Në këtë mënyrë, Obina është kthyer në një nga shembujt më konkretë të ndryshimit të filozofisë. Një futbollist i ri, që më parë nuk kishte një rol të konsoliduar në ekipin e parë, tashmë është futur gradualisht në planet e trajnerit hungarez. Laszlo ka treguar se nuk po kërkon vetëm të ruajë hierarkitë ekzistuese, por edhe të provojë alternativa të reja në funksion të skemës dhe mënyrës së lojës që kërkon.

Ndryshimi është i dukshëm edhe në repartin ofensiv. Me Martinin, zgjedhja më e zakonshme ishte dyshja Murataj-Balaj, në një sistem ku dy sulmuesit kishin një rol të rëndësishëm në fazën sulmuese. Ndërsa me Laszlo, Vllaznia po shfaqet me një treshe ofensive, ku Uldedaj, Murataj dhe Balaj formojnë linjën e avancuar. Kjo i jep ekipit më shumë alternativa në fazën e krijimit dhe lejon përdorimin e Uldedajt në një pozicion më ofensiv.

Në tërësi, ndryshimi Martini-Laszlo nuk është thjesht një kalim nga një skemë në tjetrën. Është një ndryshim në mënyrën se si trajneri e sheh skuadrën. Martini kishte ndërtuar një Vllazni më të lidhur me 3-5-2 dhe me disa hierarki të qarta, ndërsa Laszlo po tenton ta riformatojë ekipin përmes 4-2-3-1, duke ndryshuar pozicionet dhe duke aktivizuar futbollistë të tjerë. Dhe pikërisht këtu do të matet edhe ndikimi real i trajnerit hungarez. Jo vetëm te rezultatet, por te aftësia për t’i dhënë Vllaznisë një identitet të ri.

Jukaj në portë, Gurishta në qendër, Bardhi e Avduli në krahë, Obina në mesfushë dhe treshja Uldedaj-Murataj-Balaj në sulm janë pjesë e një tabloje që tregon se kuqeblutë po ndryshojnë gradualisht fytyrë. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo filozofi do të shndërrohet edhe në një Vllazni më të qëndrueshme dhe më konkurruese.

Endri ÇINARI 

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe