Elbasani mposht Dinamon në fund, derbi familjar mes djalit dhe babait i buzëqesh djalit!

Elbasani-Dinamo  1-0(Shënues: Epitaux 85’)

Elbasani ka mar një fitore shumë të rëndësishme dhe dramatike ndaj Dinamos duke triumfuar me rezultatin 1-0 në përballjen e vlefshme për javën e 12-të të kampionatit Abisnet Superiore.

Një sfidë e luftuar deri në sekondat e fundit ku verdheblutë këmbëngulën për të marrë tri pikët dhe ia dolën të gjenin golin vendimtar vetëm pesë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt.

Përballja kishte edhe një histori të veçantë jashtë fushëspasi në qendër të vëmendjes ishte dueli familjar mes Glen dhe Ilir Dajës.

I pari drejtoi Elbasanin nga pankina ndërsa trajneri i Dinamos Ilir Daja për shkak të pezullimit nga FSHF e ndoqi takimin nga tribuna.

Në këtë përballje të veçantë buzëqeshja në fund i takoi Glenit me Elbasanin që mori një triumf me shumë vlerë.

Ndeshja ishte e mbushur me momente tensioni dhe episode që ndryshuan rrjedhën e saj.

Elbasani arriti të dërgonte dy herë topin në rrjetë me anë të sulmuesit Mazari por në të dyja rastet festa e verdhebluve u ndërpre.

Në minutën e 61-të Nikaj dha një pasim të bukur për Mazarin i cili mposhti portierin Teqja por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Drama u përsërit edhe në minutën e 78-të ku sërish Nikaj ishte protagonist me një pasim të shkëlqyer duke nxjerrë Mazarin përballë portierit.

Sulmuesi kaloi Teqjen dhe dërgoi topin në rrjetë por këtë herë ndërhyrja e sistemit VAR evidentoi një prekje me dorë nga lojtari i Elbasanit.

Kështu rezultati mbeti i pandryshuar dhe skuadrat vazhduan të kërkonin golin e avantazhit.

Kur dukej se takimi po shkonte drejt një përfundimi pa fitues Elbasani gjeti momentin e shumëpritur.

Në minutën e 85-të pas një goditjeje dënimi topi përfundoi te mbrojtësi zviceran Epitaux i cili pas dy devijimeve radhazi arriti ta dërgonte në rrjetë duke mposhtur Teqjen dhe duke shpërthyer festën në kampin verdheblu.

Një gol që kishte peshën e tri pikëve dhe që i dha fund pritjes së gjatë të vendasve.

Ky sukses mer një rëndësi të veçantë edhe për pozicionin e të dyja skuadrave në klasifikim.

Pas kësaj jave Dinamo mban vendin e katërt ndërsa Elbasani pozicionohet në vendin e pestë.

Të dyja skuadrat kan nga 17 pikë po aq sa Skënderbeu që renditet në vendin e tretë.

Diferencat në këtë pjesë të tabelës janë shumë të vogla dhe çdo rezultat mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në renditje.

Për Elbasanin kjo është një fitore që vlen më shumë se tri pikët pasi skuadra tregon karakter dhe këmbëngulje duke mos u dorëzuar edhe pas dy golave të anuluar.

Nga ana tjetër Dinamo largohet pa pikë nga kjo përballje në një moment kur gara për zonën e sipërme të klasifikimit është bërë edhe më e fortë.

Tashmë vëmendja kalon te java e ardhshme teksa Dinamon e pret një tjetër sfidë e rëndësishme pasi do të përballet me Partizanin në derbin e kryeqytetit ndërsa Elbasani do të udhëtoj drejt Rrogozhinës për t’u përballur me Egnatian kryesuese.

Verdheblutë do të kërkojnë të vazhdojnë momentin pozitiv ndërsa Dinamo do të synoj reagimin pas kësaj humbje.

Fatos LAMAJ

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe