Dita e pestë e olimpiadës Tokyo 2020 ka dhuruar jo pak surpriza në një nga sportet më të ndjekur dhe të preferuar, notin. Britania e Madhe vendosi rekord europian në të artën e fituar në stafetën 4×200 të stilit të lirë të meshkujve me kohën 7’45″5. Vendi i dytë shkoi për skuadrën ruse të ndjekur nga Australia.
Në 1500 metra stil i lirë, amerikania Katy Ledecky u rikthye fituese duke mos zhgënjyer në pritshmëri, ajo la pas bashkëkombasen Erica Sullivan dhe gjermanen Kohler. Nuk zhgënjeu në pritshmëri as japonezja Yi Ohashi që kompletoi të artën e dytë në olimpiadë dhe këtë e bëri në 200 metra miks për femrat duke lënë pas krahëve amerikanet Ëalsh dhe Douglas. Rekord olimpik në 200 metra flutur për meshkuj ku hungarezi Kristof Milan regjistroi kohën 1.51.25 ndërsa në vendin e dytë u rendit japonezi Tomoru Honda i ndjekur nga italiani Burdisso.
E dyta e artë në këtë olimpiadë edhe për australianen Ariarne Titmus që po lë gjurmë në këtë olimpiadë. Notarja nga vendi i kangurëve dominoi edhe në 200 metra stil i lirë ndërsa podiumin e plotësoi Haughey nga Hong Kongu dhe kanadezja Oleksiak. Në hedhjen e sinkronizuar 3 metra nga trampolina për meshkuj, Kina u rikthye fituese pas dështimit 5 vjet më parë në Rio. Aziatikët dominuan që nga hedhja e parë me dyshen Ëang-Xie që la pas dyshen amerikane Capobianco-Hixon dhe gjermanët Hausding-Rudiger.