Sunday, November 24, 2024

Vllaznia përgatitet për Teutën. Formacioni fitues nuk ndryshon, në pikpyetje vetëm qëndra e mbrojtjes

Lexo

Kuqeblutë kanë lënë pas fitoren me Laçin dhe tashmë po përgatiten intensivisht për ndeshjen e radhës, atë të javës së dytë të Abissnet Superiore, Vllaznia-Teuta. Pozitive në këtë pragndeshje është morali i lartë që skuadra shkodrane ka marrë pas fitores fantastike në transfertën e Laçit. Por, nga ana tjetër stafi teknik si dhe drejtuesit më të lartë të klubit kuqeblu po mundohen të mbajnë situatën në  kontroll duke qëndruar larg çdo euforie të mundshme që në fakt në disa raste edhe e ka dëmtuar jo pak Vllazninë, siç ishte pikërisht edhe ndeshja përballë këtij kundërshtari në ballafaqimin e Super Kupës ku edhe e pësuan duke u mundur thellësisht 3 me 0.

Nga ana tjetër, krahas punës profesionale në proçesin stërvitor, tekniku Brdariç është më i ngrohtë edhe sa i përket kontigjentit të lojtarëve. Rikuperimi i dyshes sulmuese, Gjorgjeviç-Hoxhaj, por edhe i mbrojtësit të qëndrës, senegalezit Fallou Dianje, apo edhe mbrojtësve Bulatoviç dhe Fangaj ka rritur në masë konkurencën në skuadër për një vend titullari.

Por, me sa është parë, edhe pse për këtë pragndeshje ka në dispozicion një kontigjent të plotë futbollistësh, trajneri Thomas Brdariç nuk ka ndërmend të ndryshojë formacionin. Në gjuhën sportive, rëndom thuhet se formacioni fitues nuk ndryshon, por realisht duhet pranuar se me përjashtime të vogla, futbollistët që ishin në fushë për ndeshjen me Laçin morën vlerësime shumë pozitive nga ana e specialistëve të futbollit.

Burime pranë stafit teknik bëjnë të ditur se më së shumti, nëse mund të ketë ndonjë lëvizje minimale në formacion ka të bëjë vetëm me qëndrën e mbrojtjes ku në ndeshjen e kaluar përkrah Adilit luajti kapiteni Gurishta. Senegalezi është krejt gati të luajë nga minuta e parë, dhe këtë e tregoi edhe me minutat e aktivizimit të pjesës së dytë në Laç. Që do të thotë, se në këtë rast, Gurishta do të spostohej në krahun e djathtë, pozicionin e tij original, aty ku në fakt, për nevoja të skuadrës ndaj laçjanëve luajti Arsid Kruja, që për hirë të së vertetes, e bëri mirë punën e tij, jo vetëm në prapavijë, por edhe duke mbështetur sulmin.

Gjithësesi, duhet parë, se si do të vendosë Brdariç, pasi deri të mbrëmjen e së shtunës kur luhet ndeshja, Vllaznia-Teua, ai ka kohën e mjaftueshme për të bërë zgjedhjen e duhur.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img