Java e 22-të e kampionatit do të luhet në fundjavë dhe tifozët do të mbajnë “frymën”. Gjithçka do të startojë me duelin mes Kukësit dhe Tiranës. Kjo përballje do të luhet në “Kukës Arena” ditën e shtunë në orën 13:30. Si verilindorët ashtu edhe bardheblutë vijnë pas humbjeve dramatike respektivisht ndaj Dinamos dhe Skënderbeut. Në Kukës do të synojnë vetëm fitoren për të mos komplikuar më shumë objektivat e tyre.
Në “Arenën e Demave” Partizani do të presë Egnatian në duelin e “titanëve” ora 17:00 . Dy ekipet do të përplasin “brirët” për 3 pikët e kësaj jave që janë shumë të rëndësishme edhe për ecurinë e skuadrave. Rrogozhinasit vijnë si kryesues dhe do të tentojnë të ruajnë distancën me demat,ndërsa nga krahu tjetër të kuqtë kanë shansin e artë për të ndalur vrullin e “djemve” të Edlir Tetovës.
Ndërkohë paralelisht do të luhet edhe në Durrës, ku Teuta do të presë Skënderbeun. “Djemtë e Detit” kërkojnë fitoren e cila iu mungon prej 12 javësh në kampionat dhe ndaj korçarëve nuk kanë rrugë tjetër veçse 3 pikëve.
Nga krahu tjetër “Ujqërit e Dëborës” pas fitores spektakolare me Tiranën tashmë do të synojnë edhe “kokën” e durrsakëve në “Niko Dovana”.
Ditën e dielë do të luhen dy sfidat e tjera të kësaj jave, ajo mes Laçit dhe Vllaznisë dhe Erzeni-Dinamo, të cilat luhen në të njëjtën orën, 13:30. Dueli mes kurbinasve dhe shkodranëve pritet të jetë shumë i dyluftuar ku të dyja skuadrat vijnë pas barazimeve në javën e kaluar. Djemtë” e Qatip Osmanit duan fitoren për të “blinduar” një vend në “Final-Four”, ndërsa skuadra e Mirel Josa kërkon 3 pikët për të tentuar “top-4”-shen.
Nga ana tjetër, edhe në “Egnatia Arena” pritet një tjetër duel mjaft interesant, me shijakasit që pas 3 ndeshjeve pa rezultate pozitive do të kërkojë medoemos fitoren, ndërsa nga krahu tjetër “blutë” pas fitores spektakolare me Kukësin,tenton një tjetër triumf që do e afronte më afër “Final-Four”.
Fatos LAMAJ