Ka përfunduar java e parë e edicionit të ri të “Abissnet Superiore”, me të gjitha ndeshjet e programuara të zhvilluara në tre ditë.
Java nisi të premten me barazimin 2-2 mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, ndërsa të shtunën u luajtën Partizani–Teuta, që përfundoi 0-0, dhe Laçi–AF Elbasani, me rezultatin 1-1.
Dy ndeshjet e fundit të javës u zhvilluan mbrëmjen e sotme paralelisht në orën 21:00. Vora fitoi 1-0 ndaj Dinamo City, ndërsa në “Arena Egnatia”, Egnatia mposhti 3-0 Tiranën.
Pikërisht në “Arena Egnatia”, para nisjes së sfidës Egnatia–Tirana, u zhvillua edhe ceremonia zyrtare e hapjes së sezonit të ri të “Abissnet Superiore”. Ceremonia u organizua në këtë ndeshje për shkak të angazhimeve të Egnatias në kompeticionet europiane.
Kështu, sezoni i ri i elitës së futbollit shqiptar u shoqërua me ceremoninë e hapjes në shtëpinë e kampionëve në fuqi, ndërsa Egnatia e nisi mbrojtjen e titullit me një fitore bindëse ndaj Tiranës.



