Saturday, May 18, 2024

Abissnet Superiore-Vllaznia ndalet në javën e dytë, kampionia Teuta i merr një pikë me një futbollist më pak për 55 minuta lojë

Lexo

Vllaznia-Teuta 1:1 (Shënues: Viktor Da Silva /Da Silva 58′ / Kuembemba 73′ 

E shtunë, 19 shtator 2021, ora 19.45, stadium “Loro Boriçi” i Shkodrës

Vllaznia: Zogoviç, Kruja, Gurishta, Adili, Hakaj, Krymi, Jonuzi, Heric, Da Silva, Latifi, Aralica. Trajner: Thomas Brdariç

Teuta: Qirko, Todorovski, Aleksi, Selmani, Jackson. Acquah, Daja, E. Vila, Kallaku, Plaku, Gorgiev. Trajner Edi Martini

Nderimi për Ylli Mihalin

Një minutë heshtje përpara ndeshjes, Vllaznia-Teuta në nderim të ish fizioterapistit të kombëtares së futbollit, Ylli Mihali i ndarë nga jeta pak ditë më parë me Covid-19. Të dyja skuadrat, Vllaznia dhe Teuta, së bashku me trupën gjykuese të takimit krijuan një rreth në mesin e fushës duke qëndruar në heshtje deri sa arbitri Xhaja vërshëlleu duke marrë më pas duatrokitjet e futbollistëve si dhe tifozëve në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

Tufa me lule më Gilman Likën

Për kuqeblutë, edhe pse luhej për javën e dytë të kampionatit, ndeshja e së shtunës me Teutën ishte e para që hap sezonin në stadiumin “Loro Boriçi”. Për këtë, Klubi i Futbollit Vllaznia në bashkëpumim me Bashkinë Shkodër organizuan një ceremoni simbolike për, Gilman Likën, futbollistin me një karrierë shumë të pasur sportive prej 17 vitesh me Vllazninë, Tiranën, kombëtaren dhe me disa ekipe të huaja, të cilin e kishin përzgjedhur të bënte edhe shkelmimin e parë nga qëndra e fushës. Pasi kreun ritualin e goditjes së topit të parë, Lika u takua me ish kolegët e tij kuqeblu, por edhe ato kundërshtarë, më pas u drejtua tek tribuna përballë e tifozërisë shkodrane duke u përshëndetur ngrohtësisht me to. Në dalje nga fusha, të tjera duartrokitje me pjesën e tifozërisë së tribunës qëndrore, ndërkohë që në pistë e prisnin kryebashkiakja Voltana Ademi, presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi dhe drejtori sportiv Matko Djarmati, të cilët përgëzuan ish kapitenin kuqeblu duke i dhuruar tufa me lule.

Ndeshja

Me një lojtar më shumë për një pjesë loje e në avantazh, ambicja e Vllaznisë për revansh fashitet 17 minuta nga fundi në golin e Kuembembës, që mbajti të pathyer Teutën në Loro Borici, duke dhënë një tjetër demonstrim force në shtëpinë e rivalit direkt, me një VAR protagonist në tre episode vendimtare. Pas disfatës në Superkupë, sigurisht që shkodranët kishin ide tjetër për mënyrën si të përballeshin me Teutën e Martinit, të shtyrë nga publiku i “Loro Boriçit”, që u entuziazmua që në minutën e 3-të me kundërsulmin e Latifit.

Teuta tentoi të dilte pa dëme nga insistimi i minutave të para nga kuqeblutë dhe e bëri me një barrierë të vërtetë defensive para Qirkos, ku në minutën e 6-të vendimtar rezultoi Asion Daja. Loja bie në ritëm pas 15 minutave të para, por shkodranët u rikthyen të provojnë të zgjidhin ndeshjen sërisht në çerekorëshin e fundit. Heric goditi keq me kokë në minutën e 32′ pa gjetur kuadratin durrsak, që prisnin rastin e ndonjë gabimi të kundërshtarëve, që mund të ishte ai i minutës së 35-të kur Adili e tepron me konfidencën, duke i dhënë Kallakut mundësinë ti merrte topin e të shërbente për Plakun, që tronditi shtyllën, por humbi rastin më të mirë për të tijtë.

Përgjigja e Vllaznisë erdhi në fundin e pjesës së parë, por edhe Aralica, pasi vallëzoi mes mbrojtësve të Teutës, nuk e dërgoi dot topin në rrjetë. Gjërat megjithatë u bënë keq për Martinin, me ndërhyrjen e parë të VAR, që korigjoi kartonin e verdhë të akorduar fillimisht nga arbitri Bajramaj në një të kuq për Todorovskin, për një ndërhyrje të ashpër në shtesën e të parës.

Me një lojtar më shumë në fushë, Vllaznia u duk se mori superxhiro me rifillimin e lojës, kur në të 49 arbitri sinjalizoi penallti për pengimin në zonë nga Aleksi të kroatit Aralica. Por këtë herë VAR ishte kundër shkodranëve dhe korigjon edhe njëherë Bajramajn, duke akorduar pozicion jashtë lojë të Latifit. Shpëtoi Teuta, por jo për shumë kohë, sepse në minutën e 58′ Viktor Da Silva mposhti me kokë Qirkon, në krosimin e Latifit.

Në disavantazh e me një lojtar më pak, Martinit i pankina me daljen e Plakut, Xhekson e Kallakut, për Grudën, Kotobellin dhe Beqja. Vllaznia ndoshta mendoi se fitoi para kohe, e në të 73-tën Kuembemba i ndëshkoi me një gol brilant me kokë, në një pozicion të vështirë.

Presioni i fundit kishte vetëm një gol tjetër të anulluar me VAR për shkodranët e në fund nga një pikë për dy skuadrat pretendente, edhe pse më tepër i vlen Martinit e Teutës që ngjiten në katër pikë, aq sa edhe kuqeblutë e Brdaric, por që barazimin e morën në shtëpi…

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img