Friday, April 26, 2024

Atletika shqiptare në zi! Ndahet nga jeta në moshën 75 vjeçare Mjeshtri i Madh, Vildan Tufi

Lexo

Mëngjesi i dieles ka rezultuar fatal për Mjeshtrin e Madh të atletikes shkodrane dhe asaj shqiptare, Vildan Tufi. Pas një sëmundje të rëndë që e mundonte prej kohësh, profesori i nderuar ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare. Një lajm ky që padyshim ka tronditur të gjithë boten e sportit, e sidomos Shkodrën aty ku ai u lind dhe u rritë duke pasur një karriere tejet të pasur, jo vetem në sport por edhe në boten akademike pasi siç dihet ai ishte pedagog dhe themelues i departamentit të edukimit fizik dhe sportit pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër.

Pjesë e një familje sportive shkodrane, Vili siç njihej nga komuniteti i Shkodrës dhe më gjërë, shumë shpejt, që në rini do të lidhej me sportin e atletikes duke u inkuadruar në ekipet e Vllaznisë si pjesë e garave të vrapimeve, ndërkohë që më pas tërheq vemendjen edhe në kërcimin me shkop ndër të vetmit në Shkodër që e ka aplikuar një disiplinë të tillë. Sukseseve si sportist, Vildan Tufit do t’i bashkangjiten në vijim edhe ato si trajner.

Madje, në cilësinë e trajnerit Vildan Tufi do të mbahet mend gjatë, pasi sportistët që dolen nga dora e tij, si Vera Bregu, dhe Arbana Xhani, Admir Bregu dhe Izmir Smajli, etj mbërriten në majat më të larta të atletikes shqiptare e më tej si kampionë dhe rekordmenë absolutë të garave të kërcimit së gjati deri edhe në cilësinë e kampionit të Europës sic është rasti i Izmir Smajlajt. Kampionia e radhës që profesor Tufi po përgatiste gjatë periudhës së fundit ishte një tjetër vajzë e talentuar Erisa Rrasa, që ai shpesh herë ai preferonte ta konsideronte si një Vera Bregu e dytë, me të cilen falë talentit të saj dhe punës profesionale të vete profesorit, kishte objektiv të shkonte shumë lart në rezultate, madje për t’ia kalaur edhe vete Vera Bregut.

Përpos kësaj, profesor  doktor Vildan Tufi sapo kishte finalizuar formimin e Akademisë së Atletikes Shkodrane, e para e këtij lloji në Shqipëri, gjë të cilen e prezantoi edhe përpara drejtuesve të Federatës Shqiptare të Atletikes, por sëmundja e tradhëtoi dhe nuk e la të shkonte më tej. Gjithësesi, idetë dhe projektet e tij pritet t’i vazhdojnë për t’i vënë në jetë kolegët e tij të atletikes shkodrane, me të cilët ai bashkëpunoi shumë gjatë karrieres sportive. Si sportist, trajner, por edhe si pedagog dhe drejtuesi i departamentit të edukimit fizik në Universitetin Luigj Gurakuqi, Vildan Tufi është vlerësuar me dekorata të ndryshme nga klubi Vllaznia, Bashkia Shkodër, Universiteti Luigj Gurakuqi, Federata Shqiptare e Atletikes, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të mbërritur në titullin e fundit “Mjeshtër i Madh” akorduar nga presidenti i Republikes Ilir Meta. dhe qytetar i nderuar i Shkodrës. Me ndarjen e tij nga jeta, atletika shkodrane dhe ajo shqiptare humbi profesionistin, universiteti pedagogun e aftë, Shkodra qytetarin model dhe familja bashkëshortin dhe prindin shembullor. Lamtumirë profesor Vildan Tufi, Pushofsh në Paqe!

Gaspër MARKU                      

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img