Saturday, July 27, 2024

Basketboll-Liga Unike, Vllaznia-Prizreni 62-94. Kuqeblutë, mendjen tashmë tek kampionati

Lexo

Vllaznia Prizreni ishte ndeshja e radhës për Ligën Unike në basketboll meshkuj që sipas kalendarit duhej të luhej në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, por që për arsye të bllokimit të pallatit të Shkodrës me proçesin e zgjedhjeve, me mirëkuptimin e dy palëve ndeshja në fjalë u zhvendos të luhej në Prizren.

Një ndeshje kjo që në fakt u dominua tërësisht nga skuadra vendase e cila që në perioden e parë shkëputet në pikëzim duke e fituar atë me rezultatin 9-26. Ishte kjo diferencë e periodës së parë, e cila do të mbante avantazhin e prizrenasve deri në fund të ndeshjes. Edhe pse kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Fabian Gjuka arrijnë të fitojnë periodën e dytë me rezultatin 19-13, pjesa e parë e ndeshjes mbyllet me avantazhin e Prizrenit 28-39.

Pjesa e dytë nis me një furi sulmuese të skuadrës prizrenase, e cila në priodën e tretë arrin të shënojë 30 pikë ndaj 17 të Vllaznisë duke e thelluar edhe më tej avantazhin, që në mbyllje të periodës së tretë është në shifrat 45-69.

Perioda e katërt është një formalitet, ku përballë një Vllaznie të dorëzuar edhe në aspektin moral, Prizreni fiton dhjetëminutëshin e  fundit me shifrat 17-25 si dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 62-94.

Kjo ishte humbja e shtatë e Vllaznisë në Ligën Unike përkundër dy fitoreve, ndërkohë që prizrenasit kanë ka shtatë fitore e katër humbje. Për Vllazninë, e cila është në fundin e renditjes së Ligës Unike kanë mbetur për tu luajtur edhe  dy ndeshje për këtë kompeticion që do të jenë të dyja në transfertë kundër Pejës dhe Rahovecit.

Por, duke lënë pas Ligën Unike, përqëndrimi i kuqebluve tashmë është në Superligën e basketbollit shqiptar, aty ku pretendimet janë për tu përfshirë në fazën finale të Play-Offit dhe më pas duke synuar edhe titullin kampion.

Java e 12-të e Superligës shqiptare është planifikuar nga ana e Federatës Shqiptare të Basketbollit të luhet me 6 mars me dy derbit e kryeqytetit, Tirana-Dinamo dhe Partizani-Kamza, si dhe me çiftin Vllaznia-Teuta. Sa i përket ndeshjes që duhej të luhej të dielen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ai nuk do të zhvillohet. Arsyeja është e njëjta si ajo e Ligës Unike, Vllaznia-Prizreni që nuk u zhvillua për shkak të bllokimit të mjediseve të pallatit me proçesin zgjedhor.

Krahas kësaj ndeshje të shtyrë, Vllaznia-Teuta, javën e ardhshme me datë 13 mars, kuqeblutë do të presin në Shkodër, Kamza Basket, një ndeshje kjo shumë e rëndësishme për fatin e renditjes së fazës Play-Off.

 

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img