Klasikja Tirana-Vllaznia nuk është rëndom vetëm në futboll. Përballja mes këtyre dy klubeve, më të vjetrit në historinë e sportit shqiptar pritet me shumë interes në të gjitha konkurimet sportive. Këtë mesjavë është radha e basketbollit të sjellë emocionet e klasikes Tirana-Vllaznia në Superligën e basketbollit për meshkuj.
Kuqeblutë e blinduar me një kontigjent të bollshëm amerikan vijnë në këtë ndeshje me bilancin, 2 fitore dhe 2 humbje. Fitorja e fundit ishte në shtëpi duke mundur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” Partizanin me rezultatin 80 me 58.
Ndërkohë, në këtë përballje rivalësh pritet një ndeshje e fortë, me vendasit që kërkojnë patjetër fitoren, dhe me një Vllazni, që pas kolaudimit të 4 javëve të para, tashmë është momenti i së vërtetës realisht forcën e kësaj skuadre, të cilën presidenti Alban Xhaferi e ka ndërtuar për kampione.
Sfida në fjalë, Tirana-Vllaznia në basketboll për meshkuj luhet të mërkurën e 17 marsit në sallën sportive, “Farie Hoti” të kryeqytetit duke filluar nga ora 17.00
Krahas klasikes Tirana-Vllaznia, po për javën e pestë luhen edhe ndeshjet e tjera. Derbi durrsak, Teuta-Goga Basket që luhet në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, ora 18.00, dhe Eagles-Partizani, ora 18.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.
Sa i përket, Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për femra, për javën e pestë, Vllaznia pret të mërkurën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, Elbasanin, takim që starton në orën 15.00