Saturday, April 27, 2024

BOKS-Adam Maca, kampion i Anglisë, vëllezërit Çekini, krenohen me sportistin e tyre të Boxing North Albania: “Me Adamin, kërkojmë medalje në Europianin e Kroacisë, Kampionatin Shqiptar, si dhe Botërorin e Spanjës”

Lexo

Suksesi i radhës për boksierin e talentuar shqiptar Adam Maca është fitimi i titullit të katërt kampion në Angli për 18 vjeçarët, atje ku jeton me familjen e tij. Suksesi i shqiptarit me origjinë nga Mirdita, i cili në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë është pjesë e klubit të boksit shkodran Boxing North Albania, ka entuziasmuar pa masë edhe dy vëllezërit Çekini, Klaodion dhe Emilianon, të cilët për vitin 2024 kanë projekte dhe objektiva madhor në fitimin e titujve dhe medaljeve të tjera, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në një prononcim për Veriu Sport, trajnerët Klaodio dhe Emiliano Çekini, janë të lumtur që iniciativa e tyre për ta bërë Adamin pjesë të boksit shkodran dhe atij shqiptar po rezulton e suksesshme. Hapat e para të bashkëpunimit nisën vitin e kaluar, kur ato ishin pjesë të Vllaznisë dhe Adami konkuroi në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë të 16 vjeçarëve duke u shpallur kampion kombëtar.

Ndërkohë, pas vendimit të tyre për të ngritur klubin e tyre privat, Boxing North Albania, Adami preferoi që të vazhdonte bashkëpunimin me dy trajnerët e tij të parë, madje nën shoqërimin e tyre, ai u shpall nënkampion bote në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Armeni.

Me një bilanc të tillë, 4 herë kampion i Anglisë, nënkampion i botës dhe njëkohësisht edhe 2 herë kampion i Europës për moshat, e ardhmja e këtij boksieri është e garantuar për suksese në vazhdimësi.

Pas titullit të radhës në Angli, për vitin 2024, Adam Maca do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’iu bashkangjitur ekipit të tij në Shkodër, Boxing North Albania, me të cilin ka synime të mëdha.

Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe vëllezërit Çekini, të cilët theksojnë se pritshmëritë te ky boksier janë të mëdha.

“Adami do të jetë shumë shpejt në palestrën tonë të boksit duke iu nënshtruar një stërvitje intensive në pritje të përfaqësimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian që zhvillohet në Kroaci nga data 2-15 prill, dhe ku do synojë të ruaje titullin e kampionit të Europes edhe për një grupmoshë tjetër, atë të 18 vjeçarëve. Në vijim, ai do marrë pjesë gjithashtu në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, ku ai është pjese e klubit Boxing North Albania si kampion në fuqi i Shqipërisë dhe sigurisht do synojë vendin e parë. Por, natyrisht, në ndër synimet e tij kryesore, është edhe Kampionati Botëror që zhvillohet më 20 tetor deri më 6 nëntor në Spanje.”, shprehen ato për Veriu Sport.

Në veçanti, trajneri i tij personal në Shqipëri Klaudo Çekini, i klubit Boxing North Albania, duke u shprehur i entuziazmuar që Adami ka zgjedhur të vazhdojë bashkëpunimin me klubin e tyre, është i bindur, se me zbulimin e boksierit të talentuar Adam Maca, Shqipërisë do t’i vijnë dhe medalje të tjera duke garantuar që do të thyejë rekorde me këtë boksier të nivelit të lartë cilësor.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img