Vjen fitorja e parë për ekipin tonë kombëtar në Kampionatin Botëror të boksit që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit. Eshte boksieri shkodran Arjon Kajoshi i kategorisë së peshës 75 kg ai që mundi boksierin Nsangou Mouhamed Kadafi (Camerun), me rezultatin 4-1.
Sipas informacionit të marrë nga trajneri i kombëtares shqiptare, Lazarin Vila, Kajoshi ka boksuar në mënyrë të përkryer duke qënë dominues që në raundin e parë ndërkohe që edhe në raundet e tjera ka arritur ta thellojë diferencen, duke bërë që në përfundim të ndeshjes gjyqtari t’i akordojë fitore e pastër me rezultatin 4 me 1.
Me këtë fitore kampioni shkodran Kajoshi kualifikohet për në fazen e tretë të Botërorit dhe gjithnjë sipas Viles, me formën e mirë që tregoi në ndeshjen e sotme, Kajoshi ka dhënë sinjale shumë pozitive që edhe në sfidat e tjera pasardhëse të vijojë me fitore duke pasur si objektiv futjen në zonën e medaljeve.
Kujtojmë se më herët boksierët e tjerë të kombëtares së Shqipërisë Denis Nurja, Krenar Zeneli dhe Nelson Hysa, dhe Ani Haxhillari, megjithë përpjekjet e tyre maksimale, nuk arritën të kalojnë me sukses ndeshjet e parë duke u eleminuar që në turin e parë.
Gaspër MARKU