Bylisi ka arritur të mposhtë Teutën me rezultatin 2-0 në ndeshjen e javës së 33-të të “Abissnet Superiore”, që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH(RTSH1 dhe RTSH Sport).
Skuadra ballshiote, mjaft racionale në krijimin e rasteve për gol në këtë sfidë, arriti të shfrytëzojë maksimalisht mundësitë e krijuara. Shënoi në fillim të sfidës me anë të Eminit, ndërsa vulosi fitoren me finalizimin e Kamara në fund të ndeshjes.
Skuadra durrsake krijoi volum loje, ndërsa iu anulua një gol i Zhongos për pozicion jashtë loje në pjesën e dytë, por nuk mundi të shmangë disfatën, që është e katërta radhazi.
Me këtë fitore, Bylisi ngjitet në kuotën e 35 pikëve, në vendin e 8-të, në kuotë të njëjtë me Tiranën e vendit të 7-të. Ndërlikohet situata për Teutën, ndodhet në vendin e 6-të me 38 pikë, zona e ftohtë është shumë afër.


