Tirana ka fituar derbin e kryeqytetit duke mposhtur Partizanin me rezultatin 3-1 në përballjen e vlefshme për javën e gjashtë të “Abisnet Superiore”.
Një sukses me peshë për bardheblutë,të cilët e vendosën takimin me dy gola në pjesën e dytë ndërsa të kuqtë mbeten në një situatë të vështirë në renditje.
Ndeshja nisi vrullshëm për Tiranën që gjeti avantazhin që në minutën e 7-të teksa ishte Redon Xhixha që lëshoi një goditje të fortë nga distanca duke dërguar topin në rrjetë dhe duke ndezur festën në kampin bardheblu.
Partizani arriti të përgjigjej në minutën e 36-të me sulmuesin Skuka që shmangu Vitijën në krahun e djathtë dhe shërbeu për Himallarin i cili, me portën e boshatisur realizoi golin e barazimit që riktheu ekuilibrin dhe shoqëruan skuadrat drejt pushimit.
Përballja u vendos në pjesën e fundit të takimit ku në minutën e 79-të një kombinim mes Ilievskit dhe Kis nxori sërish në pozicion finalizimi Ilievskin i cili mposhti Qirkon me një gjuajtje të fortë duke rikthyer Tiranën në avantazh.
Vetëm gjashtë minuta më vonë bardheblutë vulosën fitoren Hazrollaj fitoi një penallti dhe Kis u tregua i saktë nga pika e bardhë duke çuar rezultatin në 1-3 dhe duke mbyllur llogaritë e derbit.
Me këtë sukses Tirana ngjitet në vendin e katërt me 8 pikë ndërsa Partizani mbetet në vendin e nëntë me vetëm 4 pikë.
Humbja në derbi e rëndon më tej ecurinë e të kuqve të cilët duhet të kërkojnë kthesën në transfertën ndaj Vorës ndërkohë bardheblutë do të presin Laçin në takimin e radhës.
Fatos LAMAJ


