Përplasja me Bitrin në ndeshjen Partizani-Vllaznia i ka kushtuar dënimin me dy ndeshje futbollistit shkodran Ardit Krymi. Sipas rregullores, kartoni i kuq dhe largimi nga fusha e lojës shoqërohet me penalizimin e një ndeshje për futbollistin. Në këtë mënyrë, kuqeblutë e kishin llogaritur mungesën e Krymit për ndeshjen e radhës me Laçin, por Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së duke e konsideruar si sjellje josportive veprimin e Krymit ka marrë vendim që ta dënojë atë me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Ndërkohë, siç vërehet edhe në vendimin e publikuar, futbollisti i Partizanit, Bitri, me të cilin Krymi u konflitua për rastin në fjalë, nuk ka marrë asnjë dënim tjetër shtesë duke i mbetur në fuqi vetëm pezullimi me një ndeshje për javën e 18-të që luhet në fundjavë.
Gjithnjë me njoftimin e përcjellë për mediat nga ana e FSHF-së, bëhet e ditur se Komisioni i Disiplinës ka paralajmëruar klubin bardheblu të Tiranës për zhvillimin e stërvitjes në stadiumin “Selman Stërmasi”, që nëse do të konstatohet një rast tjetër i tillë në këtë impiant ku zhvillohen ndeshjet zyrtare, atëherë do të marrë ndëshkim sipas rregullores.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
- Lojtari i KF Vllaznia, Ardit Krymi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- KF Tirana, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së stërvitjes në stadiumin “Selman Stërmasi”, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
- KS Kastrioti U-21, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-21, kundër KF Bylis U-21, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
- Lojtari i KF Shkodra U-19, Albi Shpuza, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Lojtari i Shkëndija Dr. U-19, Eldi Mala, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.