Edhe dy ditë nga finalja, Kukësi & Egnatia luftojnë për trofeun e 72-të në histori të Kupës së Shqipërisë

Me përfundimin e javës së fundit të kampionatit të rregullt tashmë i gjithë fokusi do të jetë te “Final Four” megjithatë të martën është një tjetër finale e madhe për t’u luajtur, ajo e Kupës së Shqipërisë, Kukësi – Egnatia.

Edhe dy ditë nga finalja e madhe në “Air Albania” ku do të përcaktohet fituesi i kompeticionit të dytë për nga rëndësia, megjithatë fokusi i skuadrave është maksimal, pasi luhet për të siguruar edhe pjesëmarrjen në Europë.

Të dyja skuadrat kanë pasur një ecuri fantastike këtë sezon në Kupën e Shqipërisë, teksa rrugëtimi i tyre nisi në fazën e 1/8-ave. Kukësi avancoi më tej pasi mundi Elbasanin 1-0, ndërsa Egnatia fitoi ndaj Lushnjes 2-0.

Në çerekfinale, Kukësi bëri mrekullinë pasi ja doli mbanë të kalonte Partizanin, duke avancuar më tej vetëm nga penalltitë, ndërsa Egnatia i fitoi të dyja takimet me Laçin dhe siguroi kualifikimin.

Për të kaluar në finale të dyja skuadrat nuk e patën aspak të lehtë. Kukësi u përballë me Tiranën dhe falë fitores në ndeshjen e parë në shtëpi dhe mbrojtjes së rezultatit në takimin e dytë siguroi finalen.

Në anën tjetër, Egnatia gjeti Vllazninë në gjysmëfinale dhe pas triumfit në ndeshjen e parë, gjiithçka u vendos në sfidën e kthimit në “Loro Boriçi” ku Egnatia realizoi golin e kualifikimit vetëm në shtesë, duke siguruar finalen e dytë radhazi në Kupën e Shqipërisë.

Një rrugëtim i jashtëzakonshëm për të dyja skuadrat që të martën në mbrëmje në stadiumin “Air Albania” prej orës 19:00 do të luftojnë për të fituar trofeun e 72-të në histori të Kupës së Shqipërisë.

Biletat e finales mund të blihen në biletaritë fizike te stadiumet “Air Albania”, “Selman Stërmasi” dhe “Egnatia Arena” ose në biletarinë online. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu