Saturday, July 27, 2024

Egnatia kampione dimri, Demrozi: “Trofeun e Supërkupës ia falëm ne Partizanit. Kemi transferuar një superlojtar në repartin e sulmit”

Lexo

Egnatia është skuadra kampione e dimrit në Superiore. Rrogozhinasit mbyllën të parët në renditje 2 fazat e para të kampionatit dhe hyjnë në vitin 2024 si kampionët e dimrit. Një vit ku do të mbahet mend gjatë pasi klubi rrogozhinas për herë të parë në histori, fitoi Kupën e Shqipërisë, luajti në kualifikueset e Ligës së Konferencës dhe u pozicionua në vendin e 3-të në tabelën e klasifikimit për sezonin 2022- 2023. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i Egnatias, Agim Demrozi u shpreh se është i lumtur për ecurinë e klubit të tij edhe pse peng për të mbetet humbja në finalen e Superkupës. Ai gjithashtu ka rezerva me arbitrimin në humbjen e fundit me Tiranën.

Demrozi, sa i kënaqur jeni me paraqitjen e Egnatias për vitin 2023?
Viti që po lemë pas ka rezultuar i kënaqshëm për klubin e Egnatias. Kemi arritur rezultate që na kanë bërë krenar të gjithëve. Për këtë falënderoj trajnerin, stafin e tij, futbollistët dhe gjithkënd që ka kontribuar te performaca e skuadrës. Mendoj që mund të kishim bërë edhe më mirë se kaq pasi mundësitë dhe shanset i kemi pasur, por nuk ia dolëm.

E kishit menduar që do fitonit Kupën e Shqipërisë dhe do shpalleshit kampion dimri?
Egnatia është një skuadër që në të shkuarën e saj nuk ka qenë në këto nivele dhe shpesh paragjykohet. Të gjithë u surprizuan pasi ne fituam Kupën e Shqipërisë, ndërsa unë absolutisht jo. Egnatia e meritoi trofeun pasi mundi me meritë të gjithë kundërshtarët. Jemi ekipi që luan futboll argëtues edhe kur nuk fitojmë, pasi kemi në skuadër lojtarë cilësorë. Në formacionin më të mirë për vitin 2023 të publikuar nga FSHF-ja, 5 nga 11 futbollistët i përkisnin Egnatias dhe kjo nuk është rastësi. Këtë sezon po bëjmë mirë në kampionat duke udhëhequr prej javësh dhe arritëm të mbyllnim 2 fazat e para me 5 pikë më shumë se ekipi i Partizanit.

Ndjeni keqardhje për finalen e humbur të Superkupës?
Ndjej shumë keqardhje, pasi më shumë se e fitoi trofeun Partizani e falëm ne. Dominuam kundërshtarin në çdo aspekt në fushën e lojës. Falëm golin dhe nuk arritëm të shënonim një penallti që do t’i kishte dhënë një tjetër rrugëtim finales. Ky është futbolli, ajo që na mbetet është të mësojmë nga ajo që ndodhi dhe me kokën lartë të shohim përpara.

Çfarë nuk shkoi me Tiranën?
Rezultati nuk tregon atë që ekipet dhanë në fushën e lojës. Ne luajtëm mirë për 65 minuta edhe pse u ndëshkuam në pjesën e parë. Patëm shanset tona edhe pse arbitri i fali kartonin e dytë të verdhë Deliut ku Tirana do të mbetej me 10 futbollistë. Ndërhyrjen e Aleksit e panë mirë pastaj dhe e ndëshkuan me karton të kuq. Menjëherë pësuam golin e dytë dhe mendoj që aty mbaroi gjithçka.

A do ketë largime në merkaton e janarit, pasi ka pasur oferta për Paulauskasin, Isgardalin dhe Memollën?
Më besoni befasohem dhe shpesh habitem kur shoh në media apo në shtypin e shkruar lajme për largimin e lojtarëve të sipërpërmendur. Unë bashkë me stafin do mundohemi të përforcojmë ekipin dhe jo të largojmë ato elementë që kemi. Paulauskasin dhe Isgardalin i shesim vetëm nëse vijnë oferta të majme. Ajo që duhet të them është se jemi duke shqyrtuar disa alternativa me qëllim për të qenë kompetitiv për pjesën e mbetur të sezonit.

Po afrime, dhe në çfarë reparti synoni të përforcoheni?
Kemi transferuar një sulmues nga Kosta Rika (Jurguens Montenegro). Është super lojtar dhe jam i bindur që do të bëjë gjëra të mëdha në futbollin shqiptar.

Çfarë do të mbani mend nga ky vit?
Kam në mendje të gjithë rrugëtimin e Egnatias me uljengritjet e saj. Ky vit ka qenë i mbarë dhe natyrisht s’do ta harroj kurrë edhe pse jam i bindur që ditë më të mira do të vijnë sa i takon ecurisë. Më janë stampuar në memorie fitimi i Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrja në Ligën e Konferencës. I kam shijuar në maksimum pasi nuk ka ndjenjë më të bukur sesa kur shikon që mundi dhe sakrifica shpërblehet.

Cili është pengu më i madh për vitin 2023?
Pengu më i madh është humbja në finalen e Superkupës. U përgatitëm për ta fituar këtë trofe, por ishim të pafat dhe në mënyrë episodike nuk ia dolëm.

Cili është synimi juaj dhe premtimi për tifozët rrogozhinas?
U jam mirënjohës tifozëve të mrekullueshëm, të cilët kanë rezultuar mbështetja jonë më e madhe. Edhe pse Rrogozhina është një qytet i vogël ne kemi më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Iu premtoj se do të bëjmë maksimumin për t’i gëzuar sadopak ato. Jam i bindur se bashkë do të arrijmë gjëra të mëdha, duke realizuar objektivat tona në 2024.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img