Saturday, July 27, 2024

Emocionet e Alen Sherrit për thirrjen në kombëtare. Shkodrani që mbron portën e Egnatias, motivohet për t’u rritur sa më shumë në aspektin profesional

Lexo

Të grumbullohesh me Kombëtaren është një ëndërr për çdo futbollist në botë….

Këtë kënaqësi e preku edhe portieri i Egnatias, Alen Sherri. Shkodrani u thirr nga trajneri Silvinjo sa i takon përballjes miqësore që kuqezinjtë luajtën me Bullgarinë, sfidë kjo e fituar me rezultatin 2-0 nga kuqezinjtë. Sherri bëhet kështu lojtari i vetëm në historinë 89-vjeçare të klubit të Egnatias që grumbullohet nga Kombëtarja e Shqipërisë. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, portieri tregon emocionet që përjetoi nga kjo aventurë dhe ambiciet që ka me klubin rrogozhinas.

Alen, e prisnit që të grumbulloheshit nga Kombëtarja kuqezi?

E kam shpresuar dhe pritur që të grumbullohesha me Kombëtaren, pasi jam informuar që para sfidës me Poloninë, një muaj më parë, që jam në listën e lojtarëve në pritje. Punoj çdo ditë që t’i marr maksimumin vetes dhe për të arritur sa më lart, pasi i njoh aftësitë që disponoj.

Si ju pritën shokët e skuadrës?

Aty është një ambient fantastik dhe natyrshëm më pritën mjaft mirë. U ndjeva i befasuar dhe krenar nga mbështetja që më ofruan futbollistët e Kombëtares sonë. Kam shumë miq aty dhe realisht u ndjeva komod në çdo moment. Një emocion i veçantë që u mundova ta shijoj pafund.

Çfarë ju tha trajneri Silvinjo?

Më priti shumë miqësisht, sikur kishim vite që njiheshim. Përveçse ka treguar që është trajner i shkëlqyer ishte edhe një njeri fantastik. Me tha që kishte shumë kohë që më monitoronte dhe më përgëzoi sa u takon performancave të mia. U ndjeva i vlerësuar teksa më theksoi faktin se ky është thjesht grumbullimi i parë me ekipin kombëtar. Më besoni për një moment m’u duk vetja sikur isha në ëndërr.

Çfarë emocioni është të stërvitesh me Strakoshën dhe Berishën?

Një privilegj i madh. Janë dy futbollistë që kanë luajtur dhe po luajnë në nivele të larta të futbollit europian. Në fakt, me Strakoshën jam stërvitur edhe te kombëtarja U-21. Me Tomasin kam një raport të shkëlqyer miqësor, pasi flasim shpesh. Më përgëzuan që u thirra tek ekipi kombëtar.

Cili futbollist ju impresionoi më shumë tek ekipi kombëtar?

Fakti që Kombëtarja është në vend të parë dhe po zhvillon ndeshje tejet pozitive tregon se ekipi ka kualitete. Më besoni, të gjithë futbollistët janë të shkëlqyer dhe japin maksimumin. Në skuadër ka frymë grupi, ku gjithkush ka rëndësinë e tij. Ekziston një atmosferë e jashtëzakonshme dhe për këtë meritë kanë stafi drejtues dhe të gjithë djemtë kuqezi.

Egnatia po kryeson kampionatin, sa besoni te titulli kampion?

Përtej klasifikimit, Egnatia është edhe ekipi që luan futbollin më të bukur të paktën në këtë fillimsezoni. Jemi duke udhëhequr me meritë dhe të gjithë faktorët këtu, përfshirë presidentin, stafin drejtues dhe futbollistët, punojnë çdo ditë për të arritur maksimumin. Ne do të mundohemi të kemi vazhdimësi me qëllim që së pari të jemi në “Final 4”, por pse jo të ruajmë edhe kreun, edhe pse jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, ne besojmë te vetja dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën për klubin.

Përballeni me Tiranën, çfarë synoni nga ky duel delikat?

Do të jetë një 90-minutësh delikat, pasi luajmë me një rival direkt për titull. Tirana ka kualitet, por edhe ne kemi treguar forcën tonë. Ekipi ynë është stërvitur mirë dhe kjo na motivon të tentojmë maksimumin. Duhet përkushtim maksimal, pasi kualitetet i kemi në gjirin e skuadrës.

Cili është idhulli juaj?

Portieri që më ka impresionuar gjithmonë është Manuel Nojer. Për mua është më i miri i historisë së futbollit. Ka personalitet dhe cilësi të jashtëzakonshme. E kam modelin ideal që dua të ndjek në karrierën time.

Isa  HALILI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img