Fantastike! Fundi i takimit Shqipëri-Hungari është mbyllur me spektakël, festë dhe entuziazëm në kampin kuqezi. Protogonisti i këtij suksesi ka një emër. Ai është Armando Broja, djaloshi simpatik nga Malësia e Madhe, i cili pas një shpërthimi të fuqishëm drejt zonës kundërshtare godet fluturimthi me të djathtën e tij potente, topi i të cilit ndalet në rrjetën hungareze.
I ardhur në minutën e 87-të, goli i avantazhit nga tanët është administruar më së miri nga formacioni kuqezi dhe vërshëllima e fundit gjyqtarit Danny Makkelie pas katër minutave shtesë ka ngritur peshë entuziasmin në kampin kuqezi. Festa e kuqezinjëve është e ligjshme. Merita e kësaj fitoreje është e të gjithëve, por sigurisht që 19 vjeçari i talentuar Armando Broja që jo rastësisht luan në eliten e futbollit anglez, ka pjesën më të madhe, i cili edhe pse erdhi nga stoli, vendim ky i kontestuar jo pak nga analistët e futbollit, tregoi gjithçka nga arsenali i tij prej profesionisti te vertetë.
Përpos tre pikëve shumë të rëndësishme që i japin Shqipërisë vendin e dytë në Grupin I për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, Armando Broja, veriori nga Malësia e Madhe, futet në histori si shqiptari i parë që i shënon Hungarisë në historinë e ballafaqimeve mes dy kombëtareve, pasi deri më tash, bilanci i goleverazhit, Shqipëri-Hungari ishte 0-19. E meqë jemi tek Malësia e Madhe, pjesë aktuale e kombëtares kuqezi janë katër përfaqësues të kësaj zone veriore e njohur për traditën patriotike dhe më gjërë, Bekim Balaj dhe Elseid Hysaj nga Reçi, Enis Çokaj nga Kopliku dhe golashënuesi i sotëm ndaj Hungarisë, Armando Broja nga Kamica. Interesante kjo, kur kemi edhe Marash Kumbullën që i përket një Malësie tjetër, asaj të Shalës së Dukagjinit, i cili është titullar në kombëtaren e Rejes, ndërkohë që shkëlqen edhe në serinë A të futbollit Italian.
Shkodranët, veriorët, por në tërësi shqiptarët, janë krenuar më herët me emrat e spikatur të brezit të Zhegës, Bizit e Rragamit, për të vijuar edhe me emra të tjerë të shumtë deri tek brezi i Hamdi Salihit, etj, por tashmë gjeografia e titullarëve të kombëtares e kaluar qytetin verior për t’u ngjitur në Malësitë e Shkodrës, aty ku përpos emrave të mësipërm ka edhe plot talente të tjerë që luajnë me ekipet e moshave kuqezi dhe njëkohësisht në ekipe me emër europiane.
Gaspër MARKU