Kupa e Greqisë mund të zhvillohet në Shqipëri. AEK-u i Athinës do të përballet me PAOK-un e Selanikut, por tifozët e AEK-ut dhe PAOK-ut kanë detyruar drejtuesit e Federatës Greke të Futbollit që të gjejnë një destinacion alternativ për të organizuar finalen e Kupës së Greqisë.
Eventi i programuar për tu mbajtur më 24 maj thuhet se nuk është marrë përsipër nga policia e Athinës pasi tifozët njihen për dhunën e tyre sa herë përballën me njëri-tjetri. Federata e Futbollit të Greqisë ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë.
Sipas “Sport-FM” ka bërë me dije se Federata Shqiptare e Futbollit i ka kthyer përgjigje pozitive homologëve grekë, për të pritur në 24 maj finalen mes këtyre dy skuadrave në “Air Albania”, në Tiranë.
Opsione të tjera janë Serbia dhe Rumania, por vlen të përmendet se vendi ynë është më lehtë i aksesueshëm nga tifozeria e zjarrtë e të dy ekipeve. Destinacioni ynë pëlqehet nga pala greke pasi në po të njëjtin impiant u organizua vetëm pak muaj më parë një finale e rëndësishme siç ishte ajo e Ligës së Konferencës, e cila edhe pse u luajt mes dy ekipeve me tifozeri problematike u administrua mirë nga autoritetet përkatëse.
Megjithatë nuk është gjithçka kaq e thjeshtë sa duket, pasi stadiumi “Air Albania” është i prenotuar. “SDNA” raporton se impianti modern është i rezervuar nga këngëtari grek Nikos Vertis. Në datën 25 maj, ai do të performojë përpara gjithë fansave të tij. Ndërkohë finalja mes AEK-ut dhe PAOK-ut është programuar të zhvillohet në datën 24 maj.
Këngëtari ka rezervuar stadiumin për 3 ditë nga data 23 deri në datën 26 maj. Kësisoj duket e pamundur organizimi i finales në Tiranë. Megjithatë pritet të shihet se çfarë do të ndodhë, pasi është raportuar se FSHF-ja e ka dhënë miratimin e vet.