Teuta nuk ka mundur ta mbajë kryesimin e Superiores pasi është frenuar nga Tirana. Dy gola, njëri më i bukur se tjetri me autorë Bathën dhe Hoxhën, përkatësisht në minutat 80’ dhe 86’ kanë fiksuar fitoren 2-0 të bardhebluve ndaj durrsakëve të Edi Martinit, të cilët detyrohen të dorëzojnë kreun në javën e 29-të. Tre pikë këto të “arta” për Tiranën që me kuotën e 46 pikëve e fusin seriozisht në “valle” për një vend në Kupat e Europës, pse jo edhe për më tej nëse do të vijojë të ece me këtë ritëm në javët e ardhshme.
Vllaznia dhe Partizani që kaluan me sukses ndeshjet e javës së 29-të, kuqeblutë duke mundur Skenderbeun 2-1 dhe të kuqtë Kukësin 4-0, përfitojnë nga frenimi i Teutës duke u ngjitur në krye me pikë të barabarta, 53, një më shumë se sa Teuta e vendit të tretë me 52 pikë.
Ndërkohë Laçi me barazimin ndaj Kastriotit humbet shansin e artë të fitojë terren në renditje teksa ndodhet në vendin e 4-ët në kuotën e 49 pikëve. Kukësi pas humbjes së thellë ndaj Partizanit qëndron në vendin e 6-të në kuotën e 36 pikëve. Ndjek Kastrioti me 5 pikë diferencë nga verilindorët, ndërsa Bylisi pas fitores me Apoloninë shkëputet 6 pikë nga Skënderbeu i vendit të 9-të, ndërkoh që Apolonia në kuotën e 17 pikëve mbyll renditjen në vendin e fundit duke shuar shpresat e mbijeteses në Superiore.