Komuniteti i futbollit shqiptar ka humbur një tjetër figurë. Ish-drejtori i stadiumit “Selman Stërmasi”, Hamdi Zhegu është ndarë nga jeta, duke lënë një boshllëk në futbollin shqiptar. Zhegu ka dhënë një kontribut të madh në futboll për dy dekada me radhë, duke qenë një pjesë e rëndësishme e klubit Tirana.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka shprehur trishtimin e tij për këtë humbje të parakohshme, duke e cilësuar Hamdi Zhegun si një mik dhe dashamirës të futbollit.
“Lajmi për humbjen e parakohshme të mikut dhe dashamirësit të madh të futbollit Hamdi Zhegu, na ka krijuar një boshllëk të madh. Ai ishte një njeri pasionant, që ju bashkua familjes tonë të madhe të futbollit, për të dhënë kontributin e tij të pazëvendësueshëm në sportin tonë të dashur.
Për afro dy dekada, ai jo vetëm u bë pjesë e rëndësishme e klubit Tirana, por edhe krijoi një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionin e futbollit, duke kapërcyer e zgjidhur shumë vështirësi. Lamtumirë Diu! Lamtumirë mik dhe dashamirës i jashtëzakonshëm i futbollit”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij.