Monday, November 25, 2024

Futboll Femra-“Kjo është arritja ime e parë madhore në futboll”, rrëfehet ‘Këpuca e Artë’ Valentina Troka: Asgjë nuk ka qenë e lehtë për mua!

Lexo

Është vetëm 20 vjeçe, por me shumë punë dhe sakrificë ia ka dalë të shpallet ‘Këpuca e Artë’ për edicionin 2022-2023 në futbollin e vajzave. Valentina Troka e nisi futbollin ashtu sikurse shumica e futbollistëve të mëdhenj, në lagjet e qytetit të saj, duke ëndërruar që një ditë të bëhet profesioniste në këtë lojë. Nuk është mërzitur kur nuk ka luajtur që nga minuta e parë, por ka besuar se durimi duhet ta shoqërojë gjithnjë njeriun dhe se do të vinte edhe dita e saj.

Tashmë është një futbolliste dhe sulmuese e afirmuar e Apolonisë dhe pjesë e ekipit Kombëtar A. Valentina Troka nuk fsheh asgjë në intervistën për rubrikën ‘Talenti Shqiptar’ për fshf.org. Nga hapat e parë në futboll, tek idhulli ‘Ibrahimoviç’, suksesi ‘Këpuca e Artë’, mbështetja e familjes, Apolonia dhe hera e parë te Shqipëria dhe golat në radhët e ekipit kombëtar– Valentina rrëfen gjithçka. Është falënderuese për besimin që i kanë dhënë dhe premton shumë për të ardhmen në futbollin shqiptar. Në fund, me gërma të mëdha, sulmuesja kuqezi jep edhe një mesazh për vajzat e futbollit dhe ato që duan të luajnë futboll.

-Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur nisët të luanit?

– Që kur isha fare e vogël kisha shumë dëshirë të luaja futboll. Madje, mbaj mend që gjatë pushimeve verore nuk ndalesha duke luajtur futboll në lagje, por edhe kur shkoja në plazh. Doja të stërvitesha sa më shumë sepse kisha shumë dëshirë që kur të rritesha të luaja me një klub futbolli për vajza dhe kam qenë 16 vjeçe kur jam bërë pjesë e ekipit të Apolonisë së Fierit.

-Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka?

– Siç e përmenda edhe më sipër, Apolonia është ekipi ku nisi ëndrra ime e bukur. Kam luajtur për rreth një vit në këtë skuadër. Nuk mund të them që kam qenë gjithmonë titullare, hyja shpesh në lojë si zëvendësuese, por kjo më ka rritur më shumë si lojtare. Më pas kalova në ekipin e Tirana AS, ku kam luajtur për rreth një vit dhe u riktheva sërish tek ekipi i Apolonisë, ku jam edhe sot e kësaj dite. Është krenari e madhe të luaj për këtë ekip.

-Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë?

Në fillim ka qenë shumë e vështirë. Nuk mund të them që nuk është e njëjta gjë tani, por duket se gjërat kanë ndryshuar për mirë. E megjithatë, shprehja ‘Futbolli është vetëm për djem’ vijon të nënvizohet ende në shumë zona të Shqipërisë. Por unë, dua të falënderoj familjen që ka qenë mbështetja më e madhe e imja. Ata më kanë ndjekur kudo, më kanë dhënë shtysë, kanë besuar tek unë në çdo moment se mund të bëhesha një ditë një futbolliste e mirë. U kam premtuar se do ua rikthej të gjithë këtë besim që më kanë dhënë përgjatë gjithë këtyre viteve.

-Keni ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që ju motivon?

Po, idhulli im është futbollisti suedez, Zlatan Ibrahimoviç. Ai është një shembull i punës dhe sakrificës për çdo lojtar në të gjithë botën.

– Me shumë punë nga ana juaj, ia dolët që të fitonit edhe titullin ‘Këpuca e Artë’ për edicionin futbollistik 2022-2023. E lumtur dhe kujt ia dedikoni këtë arritje?

– Jam shumë e lumtur sigurisht. Është arritja ime e parë madhore në futboll dhe ia dedikoj pa diskutim familjes sime, por sigurisht edhe të gjitha shoqeve të mia të ekipit. Pa to nuk do ia kisha dalë të fitoja këtë titull të veçantë. Kanë qenë mbështetja ime në çdo ndeshje dhe çdo gol që kam shënuar.

-Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?

– Sigurisht që ka ndikuar. E para, është e vështirë ta mendoj jetën time pa futbollin. Është një nga pjesët më të bukura të jetës sime, nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë emocionesh kam kur zbres në fushë të luaj. Të luaj futboll ka ndikuar për mirë në jetën time, sidomos në aspektin shoqëror. Numëroj më shumë shokë e shoqe, të cilët nuk më shohin si ‘Troka futbollistja’, por si shoqe. Dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë.

-Kohët e fundit futbolli i vajzave po merr mbështetje nga FIFA, UEFA dhe FSHF. Si e shikoni këtë?

– Është një nga iniciativat më të bukura, kryesisht nga FSHF që i vë në jetë për vendin tonë. Prej disa vitesh e ndjejmë që mbështetja për futbollin e vajzave është rritur, qoftë në aspektin financiar, por edhe në bazë materiale, në klubet tona respektive, apo edhe në ekipin kombëtar. Uroj që të vazhdojë kështu, të rritet edhe më shumë mbështetja për futbollin e vajzave dhe të kemi sa më shumë futbolliste në Shqipëri, si ‘rivale’ dhe si shoqe në radhët e ekipit kombëtar.

-Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?

– Ekipi kombëtar është një ëndërr për çdo futbollist/e. Unë tashmë e kam bërë realitet këtë ëndërr. Sa herë vesh fanellën kuqezi, emocionet janë të papërshkrueshme. Fanella më motivon të punoj më shumë dhe të ëndërroj që një ditë të kualifikohemi edhe me ekipin tonë të vajzave në Europian.

– Herën e parë te Shqipëria si e mbani mend? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë? Në mos gaboj, jeni grumbulluar për herë të parë nga trajneri Grima në një miqësore në Bosnje..

– Jam grumbulluar për herë të parë me ekipin për një miqësore në Bosnje – Hercegovinë, më 9 prill 2021. Barazuam në atë ndeshje dhe trajneri Grima më besoi disa minuta në pjesën e dytë të takimit. Ka qenë një grumbullim ku kam mësuar shumë, sigurisht që edhe mbështetja e vajzave dhe të gjithë stafit kuqezi ka qenë e pakursyer.

– Në ndeshjen e fundit të Kombëtares kundër Maqedonisë së Veriut realizuat edhe një dy golësh, duke i dhënë fitoren Shqipërisë. Mund të na tregoni pak emocionet e asaj sfide?

– Jam më shumë se e lumtur që realizova një dopietë personale, por shumë më shumë se e lumtur që i dhashë fitoren Shqipërisë, paçka se ishte një miqësore. Hyra me besimin që do të shënoj në atë sfidë dhe ia dola. Falënderoj edhe trajnerin tonë që më hodhi në fushë. Do të jap gjithmonë maksimumin për Kombëtaren.

-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– FUTBOLLI NUK ËSHTË MË VETËM PËR DJEM! Dua ta shkruaj me të madhe. Ky është mesazhi im për to. Besoni te vetja, vendosni qëllime dhe jam e sigurt që do të bëni shumë mirë. Luani futboll, përmirësoni jetën tuaj, shoqërohuni me njerëz të rinj.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img