Thursday, June 13, 2024

Futboll Femra-Përgatitjet për UEFA Development, Kombëtarja U-15 e vajzave organizon seleksionime me elementet e reja

Lexo

Stafi teknik i Kombëtares U-15 për vajza ka organizuar seleksionime me elementet më të spikatura të vitlindjes 2009 në kuadër të përgatitjeve për turneun europian ‘UEFA Development U-15’, që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 24 shtator – 2 tetor dhe do të organizohet nga FSHF.

Për këtë arsye trajneri i kësaj skuadre, Kreshnik Krepi, ka ftuar 37 futbolliste të kësaj grup-moshe në këtë seleksionim, që u zhvillua në fushën e Shtëpisë së Futbollit e nga ku pritet të përzgjidhen futbollistet të cilat mund të jenë të vlefshme për të veshur fanellën kuqezi.  Trajneri i Kombëtares U15 për vajza, Kreshnik Krepi, vlerëson faktin që ka shumë masivitet dhe shpreson që cilësia e futbollisteve të reja të jetë në rritje.

“Gjëja më e rëndësishme është që kemi shumë masivitet, sot këtu kemi 37 vajza, të cilat që të gjitha aktivizohen në kampionatin shqiptar dhe ky mendoj se është aspekti më pozitiv, sepse jemi përpara një turneu zhvillimor të UEFA-s, që do të zhvillohet në Shqipëri, dhe kjo është shumë pozitive. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është masiviteti dhe cilësia e futbollisteve të reja të jetë në rritje, gjithmonë është fokusi te zhvillimi i këtyre futbollisteve në elementet bazë, që të jenë të gatshme për kontingjentin e Kombëtares U-17 për vajza”, – thotë tekniku i skuadrës kuqezi.

Gjithashtu, Krepi është i kënaqur me ecurinë e seleksionimit, ndërsa shprehet optimist për të ardhmen, duke parë që numri i vajzave që e nis futbollin në moshë të vogël që në vitet e para të shkollës sa vjen e rritet.

“Seleksionimi po shkon shumë mirë, shoh që vajzat kanë dëshirë të jashtëzakonshme, janë shumë të impenjuara gjë që tregon se edhe në klubet e tyre bëjnë një punë shumë serioze dhe ne jemi shumë të kënaqur që tashmë edhe vajzat e nisin futbollin që në moshë të vogël. Kjo na jep besim se vitet e ardhshme do të kemi një kontingjent më të mirë që vjen nga rritja e nivelit të tyre në fushën e lojës. Përderisa vajzat e nisin futbollin që në shkolla në moshë të vogël apo edhe me grup-moshat e klubeve, ne pretendojmë që në një periudhë 2-3 vjeçare të kemi një rritje të futbollit të vajzave dhe rezultateve”, – theksoi Kreshnik Krepi në një prononcim për Fshf.org.

Ndeshjet e turneut “UEFA Development” që organizohen në bashkëpunim me Federatën e Futbollit, do të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, teksa veç ekipit tonë kombëtar do të marrin pjesë edhe Malta, Ishujt Faroe dhe Luksemburgu, që do të grumbullohen në vendin tonë. Të gjitha ndeshjet janë planifikuar të luhen në fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’ në datat 27, 29 dhe 2 tetor.

Kombëtarja U-15 e vajzave, e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi do të qëndrojë e grumbulluar në Durrës, ku do të zhvillojë edhe seancat stërvitore në prag të këtij turneu të rëndësishëm e zhvillimor për këtë grupmoshë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img