Saturday, April 20, 2024

Futboll Femra-Skënderbeu-Vllaznia 0-6. Fitorja e katërt radhazi e skuadrës kuqeblu, e cila kryeson e vetme kampionatin me 12 pikë

Lexo

Skënderbeu-Vllaznia 0-6

(Shënues: Megi Doçi(2), Maria Bashka(2), Luçije Gjini, Esmeralda Franja)

Kampionatit Kombëtar i futbollit për femra luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së katërt. Vllaznia e Shkodrës, kampione kombëtare në fuqi luajti në transfertë me ekipin e Skënderbeut të Korçës. Edhe pse në mesjave luajtën në Londër ndeshjen e dytë të fazës së grupeve për Ligën e Kampioneve të Europës përballë Çelsit, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, me të mbërritur në Shkodër udhëtoi menjëherë drejt qytetit të Korçës.

Ndeshja e luajtur në stadiumin “Skënderbeu” u mbyll me fitoren e pastër të Vllaznisë me rezultatin 6-0. Megi Doçi dhe Maria Bashka me nga dy gola, së bashku me Luçije Gjinin dhe kapitenen Esmeralda Franja, ishin autoret e golave të skuadrës shkodrane.

Me tre pikët e marra në tranfertën korçare, Vllaznia shkon në kuotën e 12-të pikëve duke vijuar të kryesojë e vetme tabelën e klasifikimit. Në ndjekje të skuadrës kuqeblu janë Apolonia,Tirana me nga 9 pikë, Partizani 6 pikë, Kukësi, KF Teuta, Kinostudio dhe Skënderbeu me nga 3 pikë, ndërkohë që në fund janë Lushnja dhe Laçi me 0 pikë.

Në ndeshjet e tjera, derbi i kryeqytetit, Partizani – Tirana u fitua me shifrat 2-3 nga vajzat bardheblu, që arritën të merrnin 3 pikët në minutat shtesë të takimit me një gol të Rexhina Maxhalakut.

Nga ana tjetër, Apolonia u rikthye te fitorja, pasi mundi me shifrat e thella 0-9 skuadrën e Laçit. Troka ishte pa dyshim protagonistja kryesore e kësaj ndeshje, me 6 gola të shënuar, teksa regjistruan emrin e tyre në këtë fitore edhe Hamonikaj, Mema e Ndoj. Aktualisht, fieraket janë në kuotën e 9 pikëve, po sa Tirana që ka një ndeshje më pak në kampionat.

Teuta – Kinostudio ishte një tjetër sfidë e fortë e kësaj fundjave, e luajtur në Durrës. Kryeqytetaset morën fitoren e parë sezonale, në një ndeshje që prodhoi shumë gola e emocione për të dyja skuadrat. Skuadra e Kinostudios kaloi e para në avantazh me Baftian në minutën e 18-të, ndërsa në minutën e 23-të, Gashi realizoi edhe golin e dytë për kryeqytetaset. Bushi ngushtoi rezultatin pak minuta më vonë, teksa po në fraksionin e parë të lojës, Xhabafti e Kadiolli gjetën sërish rrugën e rrjetës. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Kinostudios, 4-1, ndërsa gjatë fraksionit të dytë të lojës, Teuta zhvilloi një lojë spektakolare duke barazuar shifrat në harkun e 12 minutave me Malajn, Delilajn e Pucën. Megjithatë, nuk mungoi as kundërpërgjigjja e Kinostudios, që gjeti sërish avantazhin me Nickun e Gashin.

Sakaq, edhe Lushnja u mund në shtëpi nga Kukësi, që gjithashtu mori fitoren e parë këtë edicion. Katër gola të Rosela Vasës i dhanë fitoren ekipit verior, që është në kuotën e tre pikëve në kampionat në këtë sezon të ri.

Rezultatet e ndeshjeve të Javës së katërt të kampionatit: Skënderbeu-Vllaznia 0-6, Partizani-Tirana 2-3, Laçi-Apolonia 0-9, Teuta-Kinostudio 4-6, Lushnja-Kukësi 0-4.

Renditja pas Javës së katërt të kampionatit: Vllaznia 12 pikë, Apolonia 9 pikë, Tirana 9 pikë, Partizani 6 pikë, Kukësi 3 pikë, KF Teuta 3 pikë, Kinostudio 3 pikë, Skënderbeu 3 pikë, Lushnja 0 pikë, KF Laçi 0 pikë

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img