Shkodra humb një tjetër kampion. Pak ditë më parë u nda nga jeta veterani Esat Bushati në moshën 97 vjeçare, ndërkohë që mbrëmjen e sotme vjen një tjetër lajm i trishtë, ndarjen nga jeta në mënyrë krejt të papritur në moshën 78 vjeçare të ish futbollistit, trajnerit dhe drejtuesit të KF Vllaznia, Ismet Hoxha.

Themi papritur, sepse Ismeti gjatë të gjithë kësaj periudhe ka qënë shumë aktiv në jetën e përditshme nën shoqërinë e miqve të tij të afërt, ndërkohë që vazhdimisht ishte i pranishëm në tribunën VIP të stadiumit “Loro Boriçi” duke ndjekur me shumë interes ndeshjes e Vllaznisë si zakonisht me treshen e dikurshme në fushën e lojës: Rauf Çanga, Ahmet Meta-Ismet Hoxha, por edhe me mikun e tij të afërt, Faik Sadikun, i cili ka në duar librin sportiv dedikuar Ismet Hoxhës.

“Si me ike keshtu pa me marre leje!. Mbreme ishte dita e fundit qe qendruam bashke deri sa perfunduan ndeshjet.. Nuk do e besoja kurre qe ky ishte takimi im i fundit me ty, dhe nuk e besoj. Lamtumire miku im I shtrejte Ismet Hoxha, do me mungojsh shume mua, shokeve tuaj por dhe futbollit shkodrane e atije shqiptare. U prehsh ne paqe, te qofte dheu i lehte!”, shkruan Faik Sadiku, menjëherë pas marrjes së lajmit të trishtë për humbjen e mikut të tij të afërt.
Nga sa bëhet e ditur, Ismeti është prekur në mënyrë të papritur nga një infarkt, që megjithë ndihmën e shpejtë dhënë nga familjarët e tij dhe ekipi i autoambulancës së qytetit që e ka dërguar në spital, nuk ka arritur të mbijetojë.
Një largim ky i parakohshëm nga jeta, por që pas ka lënë një karriere shumë të pasur sportive, fillimisht si futbollist kampion me Vllazninë por edhe me Partizanin, antar i ekipit kombëtar, ndërkohë që luajti për një vitë edhe me Luftëtarin e Gjirokastrës, për të vijuar më pas në detyrë e trajnerit të futbollit, ndërkohë që pati edhe një përvojë disa vjeçare në cilësinë e sekretarit të KF Vllaznia si dhe të drejtorit të AF Vllaznia.
Sa i përket karrieres si futbollist, kulmi i Ismet Hoxhës është në vitin 1972 kur fitonte titullin kampion dhe Kupën e Republikës me një brez të artë të futbollit shkodran, si Paulin Ndoja, Ahmet Meta, Ramazan Rragami, Rauf Çanga, Sabah Bizi, Medin Zhega, Çesk Ndoja, Halil Puka, Hajrullah Leka, Zydi Basha, etj. Ndërkohë që titullin kampion e përsërit edhe në vitin 1974, ndërsa shkëlqen edhe në ndeshjet e Spartakiadës së katërt kombëtar duke u cilësuar futbollisti më i mirë së bashku me durrsakun Shyqyri Ballgjini.
Karriera e tij sportive plotësohet edhe me konttibutin e dhënë në ekipin kombëtar dhe sidomos me kategorinë e Shpresave ku si kapiten i saj u shpall dy herë nënkampion i Ballkanit.
Me mbylljen e karrieres si futbollist në vitin 1978, Ismet Hoxha vijon punën si trajner i moshave fillimisht, ndërkohë që më pas merr drejtimin e të rinjë duke u shpallur kampion i Shqipërisë me një brez të artë futbollistësh, si: Hysen Zmijani, Çlirim Basha, Zamir Shpuza, Suad Lici, Edi Martini, Armando Cungu, Vioresin Sinani, Luan Zmijani, Elvin Beqiri.
Për kontributin e dhënë në sport, Ismet Hoxha është vlerësuar me tituj të ndryshëm nga KF Vllaznia, Bashkia Shkodër dhe FSHF, ndërkohë që mban edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” akorduar nga Presidenti i Republikës.
Portali Veriu Sport i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoxha për jumbjen e parakohshme të njeriut të tyre të afërt, si dhe KF Vllaznia për humbjen e një figure që i ka dhënë shumë futbollist shkodran.
Pushofsh në paqe, Ismet Hoxha, i përjetshëm qoftë kujtimi yt!
Gaspër MARKU


