Monday, May 6, 2024

Futboll-Miqësore/Kombëtarja U-21 fiton 3-1 ndaj Kombëtares U-19. Shkodrani Albi Shpuza përsëri shënues, spikat edhe Marçelino Preka, pjesë e dy kombëtareve përkatëse

Lexo

Në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjet ndërkombëtare, dy trajnerët e kombëtareve të futbollit, U-19 dhe U-21, Armando Cungu dhe Alban Bushi vazhdojnë të testojnë skuadrat e tyre në fushën e lojës. Këtë radhë, testimi ka qënë disi më i veçantë, pasi skuadrat kuqezi janë ndeshur njëra me tjetrën. Përballja në fjalë, e luajtur në fushën e kompleksit sportiv “Internacional” në Pezë Helmes u mbyll me rezultatin 3-1 në favor të kombëtares U-21. Për kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi golat u shënuan nga Bernard Karrica(2) dhe Tedi Cara.

Albi Shpuza

Ndërkohë, për kombëtaren U-19 të drejtuar nga shkodrani Armando Cungu, golin e ka shënuar sulmuesi shtatlartë Albi Shpuza, pjesë e KF Shkodra në Superligën e moshave U-19 të kampionatit shqiptar. Për Shpuzën, nipin e ish fubollistit të njohur shkodran, Zamir Shpuza, por edhe djali i ish futbollistit dhe sot trajner-menaxher futbolli Luan Shpuza, nuk është goli i parë, pasi ai ka spikatur edhe më herët me golat e tij në përbërje të kombëtares U-19.

Marçelino Preka

Duke qëndruar tek shkodranët kuqezi, duhet theksuar se në këtë ndeshje ka spikatur edhe qëndërmbrojtësi Marçelino Preka, edhe ky pjesë e KF Shkodra U-17, por që në kampionatin që sapo u mbyll ka luajtur në Superligë për ekipin e parë të Bylisit. E veçanta për Marçelino Prekën ka të bëjë me atë që ai edhe pse 17 vjeçar u thirr nga trajneri Armando Cungu në kombëtaren U-19. Ndërkohë, falë vlerave që ai disponon, me mirëkuptimin mes dy trajnerëve, Cungu-Bushi, pak ditë më parë ai kaloi në grumbullimin e kombëtares U-21. Në miqësoren në fjalë, Preka e nisi ndeshjen si titullar në formacionin e kombëtares U-19, ndërkohë që në pjesën e dytë, stafet teknike përkatëse vendosen ta kalojnë në formacionin e kombëtares U-21.

Nga sa bëhet e ditur, kjo është miqësorja e fundit që zhvillon në Shqipëri kombëtarja U-21, pasi në fillimin e muajit qershor ka në program ballafaqimin në transfertë me Andorrën më 4 qershor, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 dhe më 8 qershor do të luajë një ndeshje miqësore ndaj Bullgarisë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img