Kombëtarja e Shqipërisë U-17 në futboll është kualifikuar në fazën e grupeve të Europianit 2023, ose siç etiketohet ndryshe “Elite Round”. Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku, që bënte pjesë në Grupin 7, u thye vetëm nga Kroacia, ndërsa arriti të fitojë përballë Suedisë dhe të marrë një barazim ndaj Uellsit, një kundërshtari mjaft të fortë. Shqipëria ka arritur të grumbullojë 4 pikë, po aq sa Kroacia duke u pozicionuar në vendin e tretë, diktuar nga ndeshja direkte, ndërsa në vendin e parë është Uellsi me 5 pikë.
Dy vendet e para kalojnë automatikisht, por me 13 grupe në total më tej do të vazhdojnë dhe katër skuadrat më të mira të vendeve të treta. Shqipëria është e dyta në klasifikim pas Sllovakisë si e treta më e mirë, ndërkohë që kanë mbetur edhe dy grupe pa dhënë verdiktin përfundimtarë. Në çdo rast, kur më tej vazhdojnë katër skuadra të treta, Shqipëria e ka siguruar matematikisht kualifikimin.
Suksesi në fjalë është pritur me shumë entuziazëm në qarqet sportive të Shqipërisë, përfshirë edhe kreun e Fedederatës Shqiptare të Futbollit. Vetë president ii FSHF-së, Armand Duka, e konsideron kualifikimin në “Elite Round” të 17 vjeçarëve kuqezi, si një tjetër sukses historik i futbollit shqiptar.