Futboll-Superiore-Java e fundit e kampionatit/ Vllaznia-Laçi, ora 17.00 në “Loro Boriçi”, trajneri i miqve Duro pranon që Teuta dhe Vllaznia janë më të avantazhuara, por titullin e kërkon edhe Laçi

Për trajnerin e Laçit, Shpëtim Duro, cili do qoftë rezultati i ndeshjes së sotme me Vllazninë, sezoni ka qenë i suksesshëm për skuadrën e tij. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i skuadrës kurbinase pohon se të katërta ekipet e kreut e meritojnë titullin, por më shumë Laçi, pasi ka qenë superior në përballjet direkte me 3 rivalët e tjerë. Sipas Duros, të katërta ekipet e kreut matematikisht kanë shanse për titullin në javën e fundit, por e pranon se Teuta dhe Vllaznia janë më të avantazhuara. Në fund Shpëtim Duro flet sërish për vazhdimësinë, ku nëse do të gjendet gjuha e përbashkët me presidentin Laska, pa dyshim dëshira është që të vijojë drejtimin e Laçit.

Për çfarë luan Laçi në Shkodër?

Sigurisht që është java e fundit dhe Laçi luan ashtu siç luajnë edhe tri skuadrat e tjera kryesuese, Vllaznia, Teuta dhe Partizani. Pra, matematikisht të katërta skuadrat janë në luftë për titullin kampion, pavarësisht se Teuta dhe Vllaznia janë pak më të favorizuara.

Vllaznisë i duhet një fitore me disa gola diferencë për të shpresuar titullin, ndërsa Laçit i duhet një mrekulli kombinimesh rezultatesh. Cili variant është më i realizueshëm?

Këto janë kombinacione në letër, por e rëndësishme është që të katërta skuadrat e para të Superiores janë në garë. Kjo është një e veçantë e kampionatit që në javën e fundit nuk është përcaktuar çështja e titullit. Të shikojmë si do të zhvillohen situatat dhe a do të vazhdojnë surprizat deri në javën e fundit, sikurse ka pasur gjatë gjithë kampionatit.

A e keni të plotë ekipin apo keni mangësi për transfertën e Shkodrës?

Ekipi është i plotë, nuk kemi mangësi për Vllazninë. E vetmja mungesë është ajo e mbrojtësit Obanor, që pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit me Teutën.

Është kjo renditje reale për kreun apo duhet të ishte ndryshe?

Sigurisht që katër skuadrat e para e kanë merituar titullin kampion, sepse gjatë gjithë kampionatit kanë qenë në garë, si Laçi, Partizani, Vllaznia dhe Teuta. Në respekt të skuadrës sime, titullin e meritonte Laçi duke pasur parasysh se jemi superiorë në përballjet direkte me 3 skuadrat e tjera kryesuese. Duke qenë superior në duelet direkte kam të drejtën të them se edhe ne si Laç e meritonim të ishim kampion në këtë sezon. Pas nesh, patjetër që gjithnjë e kam thënë se Vllaznia e meriton të jetë kampione, pasi ka bërë më mirë në këtë kampionat duke kryesuar për shumë javë, kryesisht në dy fazat e para që ishte lider i Superiores.

A keni biseduar me drejtuesit për të ardhmen?

Fillimisht duhet të mbarojmë ndeshjen e fundit të kampionatit. Shpresoj që të gjemë gjuhën e përbashkët me presidentin për edicionin e ardhshëm. Sigurisht, nëse biem në emërues të përbashkët për shumë probleme të skuadrës. E rëndësishme është se ky sezon ka qenë i jashtëzakonshëm për Laçin, duke pasur parasysh që ekipi po lufton deri në momentet e fundit për titullin kampion. Njëkohësisht kemi arritur një objektiv, pjesëmarrjen në Kupat e Europës, që pa dyshim që është një arritje e madhe, duke ditur se skuadra me investime kolosale si Tirana dhe Kukësi mbeten jashtë çdo objektivi të mundshëm këtë sezon.

ILIR CARA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu