Janë luajtur ndeshjet e javës së tretë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë Superiore U-21. Vllaznia e drejtuar nga trajneri angles Sibson dhe kolegu i tij, Ergi Borshi ishte mysafire në kryeqytet duke u ndeshur me Dinamon vendase.
Kuqeblutë vinin në këtë me 6 pikë të plota pas dy fitoreve radhazi, fillimisht në transfertë me Apoloninë dhe më pas në Shkodër ndaj Kukësit. Për fitore tre pikëshe kishin udhëtuar edhe në kryeqytet, dhe në fakt, kanë qënë shumë pranë realizimit të këtij objektivi, kur kanë shënuar të parët me anë të Osmanit në të 31-tën minutë, por vendasit kanë arritur të barazojnë në kohën shtesë, pikërisht në të 93-tën me anë të Memës.
Një barazim që nuk i kanë lënë të kënaqur kuqeblutë, si futbollistët, ashtu edhe drejtuesit, sepse me pak kujdes në momentet e fundit të krejt takimit, edhe mund të ktheheshin me fitore në Shkodër.
Përballja e 21 vjeçarëve, Dinamo-Vllaznia, e vlefshme për javën e tretë të Superiores së kësaj moshe i ka paraprirë duelit shumë pritur të Superiores të të rriturve, Vllaznia-Dinamo, takim që do të zhvillohet mbrëmjen e së hënës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke filluar nga ora 19.45.