Kampionati Ballkanik i atletikës, i cili po zhvillohet nga data 20-21 qershor në qytetin e Volosit të Greqisë është shoqëruar me rezultte të shkëlqyera të atletëve shkodranë.
Të drejtuar nga trajnerët Albert Marashi dhe Bruno Rrotani, atletët e talentuar kuqeblu që përfaqësojnë kombëtaren shqiptare në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar: Franko Burraj, Muhamet Çangeli, Endri Rakaj, Leandro Çardaku dhe Kolindo Kiri, kanë prezantuar një formë shumë e mirë sportive.
Ashtu siç pritej, atleti shkodran Franko Burraj, ka spikatur në garën e tij të preferuar të 400 metrave duke vendosur një tjetër rekord të ri kombëtar.
Koha e re e vendosur prej tij në garat e Kampionatit Ballkanik është 45″85 duke thyer kështu me dy të qindtat rekordin e mëparshëm që mbahej po prej tij dhe ishte vendosur para një viti në Maribor të Sllovenisë.
Pas rekordit të Franko Burrajt, atletët shkodranë kanë vijuar të shkëlqejnë edhe në garën e vrapimit të stafetës 4×100 metra. Katër sportistët e Vllaznisë dhe njëkohësisht të kombëtares Franko Burraj, Endri Rakaj, Leandro Çardaku dhe Kolindo Kiri kanë vendosur shifra të reja rekordi në këtë disiplinë me kohën 41″24.
Rekordi i mëparshëm i kësaj gare, mbahej po nga atletët e mirënjohur shkodran si Arben Maka, Oltion Luli, Sokol Shepeteja dhe Ilir Xhani, plot 31 vjet më parë, saktësisht më 6 korrik 1995 në Ljubjanë të Sllovenisë që patën vendosur shifrat 41″48.
Gaspër MARKU


