Thursday, April 25, 2024

Futboll-Superliga e moshave Grupi A, Shënkolli kryesues për U-17 dhe U-19

Lexo

Kategoria Superiore e Superligës së moshave ka luajtur këtë fundjavë ndeshjet e javës së tretë. Veriu Sport është ndalur kryesisht tek ballafaqimet e grupi A ku konkurojnë edhe skuadrat veriore. Ajo që tërheq vemendjen ka të bëjë me një ecuri pozitive të ekipeve të Akademisë së Shënkollit, të cilët në të dy grupmoshat kanë arritur fitore tre pikëshe, madje pas javës së tretë ato kryesojnë renditjen në grupet e tyre. Në garën e 17 vjeçarëve këtë javë binte në sy derbi i Prefekturës së Lezhës në mes Shënkollit vendas dhe Laçit mysafir. Ndeshje kjo që u zgjidhë që në minutën e 34-tërt kur Lekaj shënoi për Shënkollin duke i dhënë fitoren tre pikëshe skuadrës së tij, e cila kryson me meritë grupin A. Befasuese në kunkurimin e këtij grupi vazhdon të jetë paraqitja e dobët e Vllaznisë U-17, e cila pas humbjeve në dy javët e para mundet edhe në të treten. Këtë herë në kryeqytet nga Tirana vendase me një rezultat poshtërues 6 me 1. Kuqeblutë janë të parët që shënojnë me anë të Kodrës duke krijuar idenë se Vllaznia do të diktojë në këtë takim. Por vetem kaq, sepse në vijim gjithçka flet në favor të Tiranës që shënon plot 6 gola në portën kuqeblu. Qehaja në të 14-ten dhe Ageja dy herë përkatësisht në minutat 17 dhe 45-të,  barazojnë dhe kalojnë në avantazh bardheblutë shifrat 3 me 1 duke e mbyllur pjesen e parë me këtë rezultat. Në të dytën vijnë edhe tre gola të tjerë për vendasit me autor Karaj, Reçi dhe Sinaj, përkatësisht 49, 70, dhe 89-të duke vulosur rezultatin përfundimtar, 6 me 1 në favor të Tiranës.

Po për grupin A U-17, me interes është pritur edhe përballja Shkëndija e Tiranës- KF Shkodra. Vendasit kanë arritur të fitojnë me rezultain 3 me 1. Autorë të golave për Shkëndinë e Tiranës ishin Kasmollari minuta e 11-të me penallti, Dobjani 24’, Gjonaj 80’, ndërkohë që të vetmin gol për Shkodrën në këtë ndeshje e shënoi Hasani me penallti në minutën e 50-të.  Ndërkohë, në dy ndeshjet e tjera të këtij grupi U-17, Internacional mundi Partizanin me rezultatin 3 me 0, ndërsa Shkëndija e Durrësit u mund në shtëpi nga Brians i Lezhës me rezultatin 0-2.

………………

Duke kaluar tek konkurimi i 19 vjeçarëve, spikat fitorja e Vllaznisë në transferte, e cila mundi me rezultatin 1 me 3 ekipin kryesues të këtij grupi, Tiranën. Goli i Enes Papajt në minutën e 7-të e kalon Vllazninë në avantazh, por pas 13 minutash, në minutën e 20-të barazojnë me penallti vendasit me anë të Stafës. Në të 38-tën minutë është Antonio Dedaj që shënon për kuqeblutë duke e kaluar në avantazh Vllazninë 1 me 2, rezultat që mbyllë edhe pjesën e parë. Tre minuta përpara mbylljes së ndeshjes, në të 87-tën minutë është Arjet Bizi që shënon të tretin për kuqeblutë duke fiksuar përfundimisht rezultatin 1 me 3 në favor të Vllaznisë. Fitore kjo që e zbret nga froni Tiranën kryesuese të dy javëve të para, ndërkohë që kryesimin e marrin me pikë të barabarta nga 7 të tilla, Vllaznia me trajner Luan Zmijanin së bashku me Shënkollin edhe ai me trajner shkodran, Haris Liken. Me golaverazh më të mirë, në vend të parë është Shënkolli, i cili nga ana e tij doli fitues në këtë javë në derbin e prefekturës ndaj Laçit me rezultatin 2 me 1. Për Shënkollin, shënuan Seferaj dhe Daija, përkatësisht në minutat 17-të dhe 68-të, ndërkohë që për laçjanet, golin e veten e shënoi Syziu në minutën e trete shtesë.

Një barazim të merituar, madje duke qënë edhe shumë pranë fitores, e mori këtë javë ekipi tjetër i qytetit verior, Shkodra U-19, cila luajti në transferte me Shkëndinë e Tiranës. 2 me 2 ka përfunduar kjo ndeshje, e cila ka pasur për autor golash Zuna me penallti  në të 31-tën dhe Kodren në të 35-tën(autogol) për vendasit, ndërkohë që për KF Shkodrën golat u shënuan nga Temja dhe Suka, përkatësisht në minutat 29 dhe 43. Ballafaqimi tjetër në këtë grup, Internacional-Partizani është mbyllur me fitoren e të kuqve me shifrat 1 me 2. Për Partizanin golat janë shënuar nga Shiba në të 50-tën minutë dhe Koldashi në të 89-tën, ndërsa për Internacional Tirana, golin e vetëm për to e shënoi Nerguti në të 77-tën minutë.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img