Kampionati Kombëtar i futbollit për moshat kategoria Superiore ka mbërritur në javën e 17-të. Dy ekipet e Akademisë së Futbollit Vllaznia U-17 dhe U-19, ndeshjet e kësaj jave i luajtën në shtëpi duke pasur përballë ekipet respektive të KF Partizani. Bilanci i përballjes së kuqebuve me ekipet e klubit të kuq ka qënë, fitore për ekipin U-19 dhe humbje për ekipin U-17.
Në ndeshjen e 19 vjeçarëve, fitorja për ekipin e Vllaznisë që drejtohet nga trajneri Luan Zmijani ka ardhur përmes golave të shënuar nga Wesli Çomo dhe Antonio Delaj. Një ndeshje kjo, që në fakt deri tek momenti i shënimit të golave është shoqëruar me një rivalitet të madh në fushën e lojës. Madje, në pjesën e parë Partizani ka qënë më pranë golit duke pasur në dispozicion të tij një penallti, të cilën e ka pritur në mënyrën më të mirë portjeri shkodran Kaçi duke bërë që 45 minutat e para të kësaj sfide të mbyllen me rezultatin e barabartë 0 me 0.
Pjesa e dytë ka nisur me një ritëm më të kënaqshëm për skuadrën kuqeblu dhe si rezultat i presionit në portën e miqve ka ardhur goli i parë për Vllazninë me autor mbrojtësin Wesli Çomon, i cili i ardhur në ndihmë të sulmit kuqeblu, pas një këmbëngulje brenda zonës së Partizanit godet saktë duke shënuar golin e avantazhit për skuadrën e tij. Gol ky që sjellë qetësinë e munguar deri në ato momente në kampin shkodran.
Nga ana tjetër, skuadra mike e Partizanit bën të gjitha përpjekjet për të barazuar rezultatin, por përballë ka një Vllazni të mirëorganizuar në të gjitha repartet e lojës. Ndërkohë, që për të mbyllur gjithçka në këtë ndeshje mendon Antonio Delaj, i cili në minutën e 84-tërt realizon golin e dytë për Vllazninë. Gol ky që qëndron në fuqi deri në mbyllje të të gjithë takimit duke fiksuar rezultatin 2 me 0 në favor të kuqebluve.
Me këtë fitore, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani vazhdon të kryesojë tabelën e klasifikimit, tashmë në kuotën e 43 pikëve, pesë më shumë se Shënkolli, rivali më i afërt që e ndjek nga pas në vendin e dytë. Ndërkohë që Vllaznia U-19 vazhdon serinë e fitoreve, e kundërta ndodhë me Vllazninë U-17 që drejtohet nga trajneri Brikeno Bizi. Fitoret e fundit dhanë shkëndijat e një ngitje në renditje, por humbja e pësuar në shtëpi me Partizanin me rezultatin 1-2 bën që 17 vjeçarët kuqeblu të mbeten në kuotën e 20 pikëve duke u pozicionuar në ekipet e mesit të tabelës së klasifikimit. Goli i vetëm për kuqeblutë në këtë ndeshje është shënuar në limit të ndeshjes nga kapiteni Arval Maliqi.