Nga ERVIN BAKU
Sot, Shqipëria është në majat e futbollit europian të femrave në rang klubesh. Dhe kjo vetëm falë performancave fantastike disa vjeçare të Vllaznisë së Shkodrës në skenën europiane.
Kampionati kombëtar i futbollit të femrave ka hyrë tani në fazën e tij më interesante. Jemi në Final 4 dhe njohim dy çiftet gjysmëfinaliste. Gramshi vs Vllaznia dhe Teuta vs Apolonia.
Do të luhet me dy takime vajtje-ardhje, me sistem eliminimi. Në rast barazimi, skuadra e renditur më mirë në kampionat kalon në finale.

Por, lajmi i mrekullueshëm është se në këtë sezon të ri europian 2026-2027, Shqipërinë do ta përfaqësojnë 2 skuadra në Champions League.
Dhe siç e thashë më lart, kjo vetëm falë performancave fantastike disa vjeçare të Vllaznisë së Shkodrës në skenën europiane.
Unë nuk e di kur meshkujt do të kenë 2 skuadra në Champions League… Ndoshta nga viti 2070… Unë nuk e di kur një skuadër shqiptare e meshkujve do të shkojë në grupet e Champions League… Por Vllaznia e Shkodrës për femra e ka bërë realitet këtë. Na ka bërë dhe vazhdon të na bëjë shumë krenarë! Vllaznia e Shkodrës, me president Lazër Matija, është modeli për t’u ndjekur. Në sportin shqiptar në përgjithësi dhe në futbollin shqiptar në veçanti.


