Sunday, May 19, 2024

Humels dërgon Dortmundin në finalen e “Uemblit”!

Lexo

Goli i mbrojtësit në minutën e 50-të përsërit suksesin e ndeshjes së parë në gjysmëfinale

Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës në futboll, Liga e Kampioneve, ka zgjidhur njërën prej enigmave finale, teksa është njohur edhe skuadra e parë që ka siguruar njërën nga biletat për në finalen e madhe të 1 qershorit në mitikun “Uembli” të Londrës. Dhe ajo është Borusia e Dortmundit, që ka triumfuar të martën në mbrëmje në duelin përballë Paris SG-së, në takimin e kthimit të çiftit të parë të gjysmëfinaleve.

Në fakt, sfida e luajtur në kryeqytetin francez ka parë një pjesë të parë kryesisht të barazpeshuar, me të dyja skuadrat që bëjnë një lojë të kujdesshme, duke shmangur minimalisht pësimin e golit që mund të vendoste shumëçka. Për rrjedhojë, 45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura, por ato të dytat do të shohin Paris SG-në ta nisë më mirë dhe vetëm shtylla e majtë pingule do t’i mohojë golin Gonçalo Ramosit.

Ndërkaq, goli do të vijë në minutën e 50-të, por në skajin tjetër të fushës, atje ku Mats Humels do t’i shpëtojë mbulimit të mbrojtjes pas një goditjeje këndi dhe do të godasë bukur me kokë, duke mposhtur portierin Donaruma dhe duke përshëndetur rrjetën.

40 minutat e mbetura të kohës së rregullt, do të shohin parizienët të këmbëngulin, por kanë parë me dëshpërim sesi në 3 raste, do të jenë shtyllat e portës që do t’i mohojnë golin dhe, bashkë me të, edhe vendin në finalen e madhe, pasi Borusia e Dortmundit e fiton me një gol të vetëm edhe ndeshjen e kthimit ndaj Paris SG-së.

Finalistja tjetër do të njihet të mërkurën, nga përballje e gjigandeve Real Madrid-Bajern Mynih, që do të vijë drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, së bashku me emisionin e posaçëm.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img