Friday, May 17, 2024

(Intervista) Arseld Hoxhaj, mesfushori i spikatur nga Vau Dejes që po rritet si futbollist tek KF Shkodra

Lexo

Personazhi i intervistës tonë është një djalosh 16 vjeçar, Arseld Hoxhaj, i cili edhe pse jeton në Vaun e Dejes, ka zgjedhur KF Shkodra për të vazhduar karrieren e tij sportive si futbollist. Sot është pjesë e ekipit U-17 me trajner Arbion Koplikun, ku me spikatjen e tij si mesfushor-sulmues, dhe po aq edhe si golashënues, cilësitë e të cilit premtojnë shumë për të ardhmen. KF Shkodra, ka një përvojë mjaft pozitive në përgatitjen e futbollistëve cilësorë. Shembujt në këtë drejtim nuk janë të pakët, me futbollistë të tillë, si Hysaj, Vajushi, Guri, dhe shumë e shumë të tjerë që luajnë brenda dhe jashtë vendit. Tradita e mirëfilltë e përgatitjes së futbollistëve të perspektives vijon të jetë prezent në ekipet e klubit shkodran, dhe njëri prej tyre është edhe Arseld Hoxhaj. Kryetrajneri Taip Piraniqi me stafin e trajnerëve të tij profesionalë, këtë sezon futbollistikë po bën mjaft mirë në konkurimin kombëtar me ekipet e të gjithë grupmoshave duke i dhënë mundësinë e promovimit brezit të ri që stervitet në klubin e tyre.

-Si lindi pasioni juaj për futbollin dhe si ishin hapat e tu të parë në këtë fushë?

Pasioni im për futbollin nisi që në moshë të vogël teksa luanim me shokët e lagjes, derisa prindërit vendosen të më regjistronin në një ekip futbolli për tu stervitur. Kjo dëshirë e prindërve lindi pasi panë te unë disa cilësi të veçanta krahasuar me moshataret e mi. Hapat e parë i kam me ekipin e Vau Dejesit me profesorin e nderuar z. Gjon Ndreka, ku mora bazat e lojës së futbollit dhe qëndrova 5 vite në atë ekip.

-Prej 5 vitesh jeni pjesë e ekipit të K.F. Shkodra. Si ndiheni në këtë ekip?

Te K.F. Shkodra kam pasur një mikpritje mjaft të mirë si nga shokët po ashtu edhe nga trajnerët. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi me mjaft traditë, ku ndër vite ka prodhuar futbollistë shumë të mirë në arenen kombëtare dhe ndërkombëtare.

-Sa ju ndihmojnë trajneret dhe shokët e ekipit në rritjen tuaj profesionale?

Mendoj që trajnerët po bëjnë një punë mjaft të mirë me secilin nga ne, si nga aspekti tekniko-taktik, ashtu edhe në aspektin njerëzor. Gjej rastin të falenderoj profesorin tonë z.Arbion Kopliku për punën e palodhur që bën me ne!

-Edhe pse në rolin e mesfushorit, ju në 10 ndeshje të luajtura në kategorinë superiore U-17 keni shënuar 7 gola, ku jeni golashënuesi i dytë më i mirë në këtë kategori. Si ndiheni?

-Normal që dëshira më e madhe për një futbollist është të shënoj gola. Ndihem mjaft mirë për golat që kam shënuar deri tani  dhe shpresoj të vazhdoj kështu, pasi kam dëshirë që të ndihmoj ekipin. Kryesisht më pëlqen që të ndihmoj shokët e ekipit që të shënojnë gola, por disa nga këto gola kanë ardhur nga goditjet e dënimit, të cilat janë një specialitet i imi.

-Objektivi juaj për këte sezon?

-Objektivi kryesor është që të arrijmë sa më lart në renditje me ekipin dhe pse jo të shënoj sa më shumë gola për të ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave.

-Më parë keni qënë pjesë e kombëtareve rajonale. Në të ardhmen synoni të arrini të beheni pjesë e kombëtares U-17?

-Çdo futbollist besoj qe objektivin kryesor e ka të luaj për kombëtaren. Mendoj se duke punuar shumë kam besim të plotë që do të arrij të bëhem pjesë e kombëtares U-17 së Shqipërisë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img