Friday, April 19, 2024

(Intervista) Klasikja, Tirana-Vllaznia në syrin e ish kapitenit kuqeblu, Gilman Lika

Lexo

Kur flitet për një ballafaqim, Tirana-Vllaznia, apo Vllaznia-Tirana, natyrisht që Gilman Lika është personazhi i duhur të flasë për emocionet e kësaj pragndeshje, pasi është futbollisti që ka luajtur me shumë sukses me të dyja skuadrat.

Lika, patjetër që po e prisni me emocion këtë ndeshje, e cila mund të përcaktojë shumë gjëra për të dy klubet përkatëse në vazhdimësinë e kampionatit.

Gjitmonë klasikja e futbollit shqiptar ka vlerën e vet. Më vjen keq që nga pozitat që kanë ekipet, kjo klasike të luhet pa tifozë, por gjithsesi ka atë bukurinë e vet që e ka pasë gjithmonë. Mendoj se është një ndeshje shumë delikate për të dy ekipet, Vllaznia për të forcuar pozitat dhe për të ruajtur kreun, si dhe Tirana, mendoj se ka shansin e fundit për ringjallje dhe të pretendojë përsëri për titullin kampion.

Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve të javës së kaluar, bardheblutë që munden në transfertë Teutën 0-2 dhe kuqeblutë me fitoren në shtëpi me Skenderbeun, çka i bën të dyja skuadrat të jenë me moral të lartë psikologjik.

Është e vërtetë kjo që thoni ju, sepse Vllaznia ka dy ndeshjet e fundit, madje tre së bashku me atë të kupës që fiton. Ndërkohë që Tirana mendoj se ka fituar një ndeshje shumë të vështirë, sepse ekipi durrsak ishte në vend të parë, kështu që të dy ekipet vijnë në këtë ndeshje me moral shumë të lartë. Do të thosha se është si një finale për të dy ekipet, por mendoj se secila skuadër ka për të bërë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Nuk mendoj, se as Tirana dhe ashtu edhe Vllaznia kanë interes tek barazimi.

Fakti që Vllaznia është edhe finaliste e Kupës së Shqipërisë, mendoni se ka një favor më tepër në aspektin psikologjik për këtë ndeshje dhe të tjerat në vazhdimësi?

Sigurisht që është më e avantazhuar, sepse siç e kam thënë edhe më përpara, Vllaznia e ka arritur atë maksimumin e vet gjatë këtij viti. Sido që të shkojë sezoni, mendoj se kanë marrë më shumë se maksimumin, më shumë se kemi pritur ne të gjithë. Dhe, në këtë aspekt mendoj se është disi më e avantazhuar duke e ditur që Tirana vjet ishte kampione dhe këtë vit pritshmëritë ishin më të mëdha për momentin. Por, sigurisht që Tirana është prap në lojë dhe kjo ndeshje do të vendosë shumë për Tiranën. Unë do të thosha se kjo ndeshje është shumë më delikate për Tiranën se sa për Vllazninë. Një humbje e Vllaznisë sigurisht që do ta dëmtonte disi, por një humbje e Tiranës do ta largonte përfundimisht nga titulli kampion. Dhe, prandaj e thashë se është më shumë delikate kjo ndeshje për Tiranën se sa për Vllazninë.

Për ju që keni luajtur me të dyja skuadrat, një përballje e tillë Tirana-Vllaznia, natyrisht ka brenda edhe emocionet e rastit.

Po them ato fjalë që kam thënë edhe kur kam qënë pjesë e Tiranës, që tek Vllaznia jam rritur dhe jam tifoz i kësaj skuadre si ekipi i zemrës, ndërsa tek Tirana e kam thënë se është shtëpia ime e dytë. Tek Tirana kam kaluar kohë të mrekullueshme, jam ndjerë shumë mirë me respektin që më kanë bërë. Vazhdoj ta them se është shtëpia ime e dytë dhe mbas Vllaznisë jam gjithmonë me Tiranën.

Një sezon që ju mungoi fusha e lojës, mund të themi se Lika i ka varur “këpucët në gozhdë”, apo keni ndonjë plan tjetër?

Është pak e vështirë për ta thënë, por unë i kam bërë ato vitet e mija, ku nga 2004 deri në 2020 janë bërë 16 vite si profesionist. Më vjen keq me thënë por jam drejt përfundimit, sepse u bë edhe një vit që nuk jam aktivizur dhe kuptohet se kur ke një mungesë të tillë aktivizimi është pak e vështirë për me mujt me gjetë formën sportive që kam pasë.

Si do të jetë vazhdimësia e Likës, duket se ka sinjale trajnimi në futbollin shqiptar?

Rruga jonë është drejt një profili që ne jemi. Futbollisti në përgjithësi nuk është se di të bëjë shumë gjëra, tërë jetën ia kemi kushtuar sportit dhe e vetmja gjë brendaj kësaj kornize sigurisht që kjo do të jetë. Por, për momentin kam qenë dhe vazhdoj të jem krejt pushim, po shijoj edhe kohën e madhe që kam pasur me familjen, sepse kur je profesionist nuk ke kaq shumë kohë t’i përkushtohesh familjes, kështu që mbas një farë kohe do t’i japim drejtim edhe shumë gjërave.

Lika, do ta mbyllim me një parashikim në lidhje me rezultatin e klasikes Tirana-Vllaznia.

Nuk di të them një parashikim fiks. Është një ndeshje shumë e vështirë sidomos për Tiranën, kurse për Vllazninë natyrisht që është e rëndësishme, por nuk është si një finale që mund të mendohet se mbaroj çdo gjë. Kështu, që unë Vllazninë e shikoj më të avantazhuar, sepse normalisht janë më të qetë nga ana psikologjike. Besoj se ka më shumë shanse të fitojë Vllaznia.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img