Saturday, October 12, 2024

(Intervista) Kruja: Në Durrës më kanë respektuar kur luaja për Teutën, por të shtunën fiton Vllaznia (Vllaznia-Teuta, 18 shtator, ora 19.45 në “Loro Boriçi”)

Lexo

Ndeshja më e rëndësishme e javës së dytë të Kategorisë Abissnet Superiore është ajo që do të luhet mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” në nes Vllaznisë vendase dhe Teutës mysafire. Dy skuadra që vijnë në këtë javë pas fitoreve të javës së parë, kuqeblutë 3 me 5 ndaj Laçit në transfertë dhe bregdetarët 1 me 0 ndaj Partizanit në shtëpi. Për atmosferën e kësaj pragndeshjeje në kampin shkodran bën fjalë intervista  me futbollistin kuqeblu, Arsid Kruja.

Arsid, një superndeshje kjo e javës së dytë përballë Teutës. Si është atmosfera në kampin kuqeblu dy ditë përpara përballjes në fjalë?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe kjo dallohet edhe nga interesimi i madh që ka tifozëria shkodrane për këtë përballje. Për ne si Vllazni na del për detyrë që të vijojmë në mënyrën më të mirën kampionatin pas asaj fitoreje historike në Laç. Shpresoj që të ecim me ritmin e fitoreve edhe në Shkodër duke kënaqur edhe tifozët tanë.

Tashmë për teknikun Brdariç ju jeni një tip “xholi” për Vllazninë, sepse edhe pse jeni mesfushor-sulmues, aktivizoheni aty ku ka nevojë skuadra, siç ishte rasti i ndeshjes me Laçin ku luajtët në krahun e djathtë të mbrojtjes. E patët të vështirë të luani në atë pozicion?

Normalisht që unë jam gjithomë në dispozicion të skuadrës, aty ku ka nevojë skuadra dhe trajneri. Krahu i djathtë i mbrojtjes është një pozicion që nuk është herë e parë që aktivizohem, pasi sezonin e kaluar kam luajtur edhe në pozicione të tjera. Por, unë jam i gatshëm të luajë në çdo pozicion ku të ketë nevojë skuadra.

Për ndeshjen me Teutën, janë të gatshëm thuajse të gjithë futbollistët, edhe ato që ishin të dëmtuar javën e kaluar, mendoni se e ka paksa të vështirë Brdariç për të fiksuar formacionin e parë.

Unë do të uroja që një situatë e tillë të jetë sa më shumë tek Vllaznia, sepse sa më shumë konkurencë të ketë në ekip aq më shumë rezultate dhe po ashtu cilësi do të ketë. Por, ky është një problem që i përket vetëm trajnerit. Ne duhet të japim më të mirën aty ku luajmë dhe besoj se do të arrijmë tek fitorja.

Megjithatë, burime pranë stafit teknik kuqeblu bëjnë të ditur se “formacioni fitues” nuk ndryshon! Që do të thotë se ai formacion që fitoi 3 me 5 në Laç, ai do të jetë përsëri nga minuta e parë.

Është e vertetë kjo që formacioni fitues nuk ndryshohet, por gjithësesi duhet parë gjendja e lojtarëve, pasi siç thamë më lart ka shumë konkurencë në ekip, dhe lojtarët që mund të futën në lojë, janë lojtarë shumë të mirë. Kjo u pa edhe në ndeshjen me Laçin që zëvendësuesit shënuan edhe gol. Besoj se do të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje.

Vetë Kruja, është i gatshëm për të dhënë më mirën në këtë ndeshje?

Unë normalisht që jam i gatshëm si gjithmonë, pamvarësisht të gjendjes fizike, apo ndonjë tjetër, por mendoj se gjithçka do të jetë në rregull dhe jam i gatshëm që të jap 100 përqindëshin tim në fushën e lojës.

Përballë Vllazniasë është Teuta kampione. Pra, duket se këtë të shtunë përsëritet ai duel i Super Kupës ku durrsakët patën fituar 3 me 0, gjë që e bën edhe më të luftuar këtë duel.

Mendoj se do të jetë një takim 100 përqind ndryshe, pasi ne luajmë në shtëpinë tonë, kemi përkrahjen e tifozëve, jemi edhe në një vazhdimësi të kampionatit të mirë dhe shpresojmë të arrijmë tek fitorja.

Kruja, ju keni luajtur më herët për Teutën, ndaj kjo ndeshje ka edhe pak ngarkesë emocionale për ju, apo jo?

Normalisht që Vllaznia është e para e tanave, këtu kam dalë, këtu jam rritë si futbollist dhe këtu po vazhdoj të luaj, por gjithësesi kam respekt shumë edhe për Teutën, pasi për aq kohë sa kam qëndru në Durrës e kam kalu shumë mirë, më kanë mbështetë, por ka ardhë koha që tashmë Vllaznia të fitojë ndeshjen që të kënaqen tifozët dhe e gjithë Shkodra.

Ndoshta mund të ishte e tepërt t’ju pyesim për parashikimun e rezultatit, por gjithësesi, nëse keni diçka në mendje, na e thoni.

Besoj se është më mirë t’ia lëmë fushës, të japim maksimumin tonë dhe ajo skuadër që është më e fortë, që në këtë rast është Vllaznia, të marrë tre pikë.

Kruja, faleminderit për intervistën, sukses në përballjen e së shtunës me kampionen Teuta, dhe pse jo edhe me një gol nga ana e juaj në këtë ndeshje.

Pse jo, do të ishte kënaqësi e veçantë që të shënoja gol dhe të mbaronte ndeshja me golin tim, por e rëndësishme është tre pikëshi për ne.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img