Thursday, October 24, 2024

(Intervista) Nuk e mbaj mend asnjëherë Vllazninë kështu, e papranueshme”, Cungu analizon kuqeblutë: Nuk e ndërtuan mirë, ka individë që nuk u bëhet vonë

Lexo

Armando Cunga sheh me keqardhje se si Vllaznia në këto javë të para të sezonit po zhgënjen plotësisht në rrugëtimin e saj në kampionat. Ish-futbollisti e trajneri i njohur i kuqebluve, mendon se skuadra është ndërtuar keq në merkaton e verës dhe tanimë po vuan pasojat e strategjisë së gabuar.

Në intervistën e tij për “Sport News” në “News 24”, Cungu ndër të tjera tregon se ajo që e shqetëson më shumë është se ekipi nuk shfaq grintë e dëshirë, gjë që nuk mund të korrigjohet nga merkato e janarit.

Cungu, 13 pikë në 12 javë, vendi i tetë për Vllazninë. Nisja më e dobët në vitet e fundit. Çfarë po ndodh? Ku është problemi në sytë tuaj, duke e parë me qetësi nga jashtë?
Besoj se nuk do koment shumë. Me shumë të drejtë përmende Vllazninë dhe Tiranën në këtë fillim edicioni. Vllaznia? Nuk e di, strategjia e klubit mund të mos jetë e duhura. Koha po kalon dhe nuk do ketë shumë kohë. Sa më shpejt të jetë e mundur, aq më mirë do jetë. Duhen bërë disa ndryshime. Merkato mbase nuk është ndërtuar më e mira e mundshme.

“Jemi në krizë”, theksoi Osmani pas humbjes me “poker” golash ndaj Partizanit. Në vetëm dy ndeshje në stol vjen kjo deklaratë…
Vllaznia që në fillim të sezonit nuk është ndërtuar në mënyrën e duhur. Natyrshëm që e vuan edhe trajneri. Trajneri e ka kuptuar edhe situatën që ndodhet ekipit. Është e papranueshme. Edhe mua më vjen keq, si qytetar i këtij vendi. Nuk e mbaj mend asnjëherë Vllazninë kështu të dorëzohet kaq shpejt. Vllaznia ka luajtur edhe në Kupat e Europës, ndërsa në pjesën e dytë me Partizanin ishte e dorëzuar.

Çfarë mund t’i kërkosh një trajneri në këto kushte? U shpreh edhe gjatë prezantimit, do kisha dëshira ta bëja unë ekipin, kemi probleme me dëmtimet etj. E kujt është përgjegjësia në një situatë të tillë?
Unë nuk jam personi i duhur për të vendosur fajet. Nga ajo që kemi parë deri më tani, trajneri nuk e ka atë përgjegjësi. Vllaznia nuk është ndërtuar mirë. Nuk mund ta pranoj që të jetë në këtë situatë. Përtej grupit, i cili nuk mund të jetë aq cilësor. Për të luftuar nuk do ndonjë cilësi shumë të madhe, por shpirt.

A sheh një zgjidhje Cungu, sa rrezikon Vllaznia në këto kushte me këtë formë që ka shfaqur?
Patjetër që shikoj zgjidhje. Edhe sportistët duhet të marrin përgjegjësinë e tyre. Tashmë tregu është i hapur, nuk jam për të paragjykuar askënd. Një klub si Vllaznia, një klub që e ka në ADN futbollin, nuk mund të jetë në këto kushte. Ka individë të cilëve nuk u bëhet vonë aspak. Lojtarët të kuptojnë peshën e fanellës. Nuk i ka sjellë njeri me zor.

A mund të ndryshojë situata në janar? A mund të arrijë ky grup të paktën zonën “Final Four”, katër vendet e para?
Ju e shikoni që kampionati është i çuditshëm. Me dy fitore, e shikoni Vllazninë në 3 vendet e para. Nëse luajnë me shpirtin e duhur, mund të bëjnë progres. Janari s’të sjell dot gjëra pozitive. Një lojtar i mirë vështirë se largohet nga një skuadër e mirë. Lojtarët e janarit vijnë prej dëmtimeve dhe nuk kanë ritmin e duhur.

Ndërkohë, një situatë paradoksale po ndodh te Partizani. Pa trajner, por ndaj Vllaznisë siguruan fitoren e pestë radhazi me një drejtor sportiv në stol…
Kjo po tregon se Partizani është ndërtuar në mënyrën e duhur. Pa Zekiç, Abilaliaj po merr disa fitore radhazi. Është trajner pa shumë eksperiencë. Ka meritë të jashtëzakonshme. Një trajner nuk matet me një seancë stërvitore, por në fushën e lojës. Abilaliaj po tregon se është i aftë për të bërë diçka të tillë.

Cungu, si një trajner me shumë eksperiencë, a po zhvlerësohet pak roli i trajnerit? Kemi trajnerë të pezulluar, trajner provizor, ekipi pa trajner fare. Pse ky trend këtë sezon?
Nuk është vetëm i këtij sezoni. Kjo ka ndodhur gjithmonë. Pezullimi? Ok nuk kemi patur, por ky pezullim duhet t’i kërkohet shpjegim drejtuesve të Tiranës! Mendoj që te pezullimi ka të bëjë pjesa ekomomike.

Është pak e vështirë të flasësh për favoritë, pasi situata mund të ndryshojë, po si e sheh garën për titull deri tani, kë sheh më lart?
Gradualisht ekipet kanë filluar të marrin fizionominë e vet. Egnatia, bashkë me Partizanin, po bëjnë mirë. E kam menduar edhe Tiranën, pas atyre paraqitjeve në vitet e fundit, por jo. Mendoja se me atë grup do ishte kandidati kryesor, por diçka ka ndodhur dhe më mirë le të flasin ata vetë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img