Tuesday, May 14, 2024

(Intervista) Orges Shehi zbulon të fshehtat e pezullimit

Lexo

Tekniku tregon historinë e “tradhëtisë” e flet për pagat e vonuara e të ardhmen

Pas dy vjet e gjysëm në krye të Tiranës Orges Shehi për herë të parë nuk është ulur në pankinë pas 120 ndeshjesh në kampionat me bardheblutë. Natyrisht mënyra si u mbyll historia e trajnerit më jetëgjatë në dekadat e fundit te Tirana është e destinuar të ketë dritëhije, prapaskena e tymnajë. Në një intervistë ekskluzive për RTSH Sport, Shehi ka folur për gjithçka: nga vonesat e pagave te ndërhyrjet në formacion e deri te “foto” e pretenduar e tradhëtisë me presidentin e Dinamos dhe e ardhmja.

Përshëndetje Orges Shehi, trajner ose ish-trajner i Tiranës, mbetet për tu vlerësuar në të ardhmen, por gjithsesi, çfarë ndodhi që solli në këtë pikë marrëdhënien me klubin?

“Ju falenderoj për këtë mundim që erdhët deri këtu. Unë mendoj që në një futboll të kohëve të fundit, sigurisht që këto mund të jenë normale dhe unë jam shumë i ndërgjegjshëm. Duke qenë i ndërgjegjshëm dua të jem dhe i përgjegjshëm. Pra, i ndërgjegjshëm për të kuptuar se ky është futbolli dhe me e marrë çdo gjë profesionale, se ndoshta kërkoj ta bëj personale, por nuk është e tillë. Është profesionale dhe si e tillë pranoj vendimin e shkarkimit nga ana e klubit. Më pas, është i drejtë apo i gabuar, nuk dua të gjykoj, sepse më mbetet ta pranoj. I përgjegjshëm, për atë që dua të them, sepse krahas aspektit personal llogaritet dhe ajo që ju thatë: trajner ose ish-trajner i një klubi si Tirana që kërkon përgjegjshmëri të plotë nga ana ime”.

Pezullim për shkak të rezultateve duket si e pa precedentë, por çdo të thotë për ju kjo?

“Realisht nuk e di, nuk e kuptoj se çfarë është ky pezullim për rezultate. Mua më është komunikuar nga drejtori kur kam shkuar në stërvitje, që ndërpritet bashkëpunimi. Unë i kam thënë , nëse ndërpritet bashkëpunimi i bie të jetë shkarkim, po më tha. Kështu i kërkova që të kisha një shkresë zyrtare, sepse komunikimi zyrtar është më korrekt. Dhe sigurisht që e prisja, ramë dakord që do të vinte shkresa, kam pritur shumë që të vinte. Megjithatë, nuk e sollën. Pasdite pastaj lexova pezullim. E thashë dhe pak më parë që se kuptoj. Habitem, jo vetëm unë por të gjithë, pezullim për arsye rezultatesh, hera e parë që e dëgjoj. Megjithatë, që ta komentoj apo të flas më shumë mund të bëj gabim, me të do të meret avokati në bazë të të gjitha procedurave, sepse realisht unë nuk jam jurist dhe dua të fokusohem vetëm te qetësia dhe situata për ta kaluar me profesionalizëm”.

Me atë që ju thoni duket se konfirmoni atë që në të nxehtë thatë se do të ndërmerni veprime ligjore, keni vërtetë ndërmend?

“Nuk kam përse të ndërmarr hapa ligjorë, unë do ndërmarr hapat korrekt që mund të ndërmarrë një person kur shkarkohet nga puna. Në bazë të kësaj nuk është më çështja ime, sepse unë jam një njeri i fushës dhe do të përqëndrohem tek ajo që kam bërë duke qartësuar idetë e mia dhe duke qëndruar pushim për një kohë. Pastaj, janë organet e tjera që do të meren dhe nuk e shoh si shumë problematike këtë, e shikoj si një rast normal dhe do të procedohet me atë situatë që profesionistët mund ta përballojnë”.

Vijmë tani te një pikë që të kuptojmë se çfarë ndodhi që shkaktoi këtë thyerje të marrëdhënieve me klubin. A ka patur vonesa financiare te Tirana?

“E kam thënë edhe në rreth më të ngushtë, unë kam punuar te Tirana 2 vite e 8 muaj afërsisht, ka të mira por ka dhë të këqija. Për respekt të asaj që unë kam qëndruar kaq kohë aty, për respekt të asaj fanelle, atij emri, unë nuk do të merrem fare me gjëra negative, por do të fokusohem dhe do nxjerr nga goja ime vetëm gjërat pozitive për respekt të asaj kohe që kam kaluar aty”.

Po në këtë pikë, është paradoksale që të paguash një trajner të pezulluar, ndërkohë që nuk është se e ke bërë rregullisht kur ai punonte çdo dite për klubin…

“Nuk e di, sinqerisht nuk e di. E thashë edhe më parë që mund të bëj ndonjë gabim dhe që të mos bëj ndonjë gabim, sepse nuk është fusha ime, nuk dua të shprehem për këtë situatë”.

Po ndërhyrje për formacionin a ka patur te Tirana në këto javë të para?

“E thashë edhe pak më parë se nuk do të flas dhe nuk do të shprehem për asgjë që ka ndodhur aty, për respekt të klubit, të emrit që ka ajo fanellë dhe mendoj që tifozët e Tiranës nuk duan të dinë më çfarë ka thënë Shehi, çfarë ka thënë Halili. Duan që skuadra e tyre të marrë më të mirën, kështu që mendoj se nuk ia vlen. Gjithsecili ka atë opinionin e tij, gjithsecili njeh njërin apo tjetrin, njeh kush dhe kë, kështu që nuk dua të komentoj”.

Vijmë te foto me presidentin e Dinamos, të cilën presidenti Halili e trumbetoi si një symbol i tradhëtisë, por cili është version juaj për këtë?

“Kjo temë është për të të bërë të qeshësh. Pasi prita që të më vinte dokumenti, kam shkuar me stafin tim, ndihmësit e mi, për një drekë. Në atë restorant, siç mund të vijnë shumë njerëz të tjerë, vjen dhe presidenti i Dinamos, Bardhi, të cilin unë e kam dhe bashkëqytetarin tim nga Durrsi, kam me të njohje të hershme. Pasi u takuam shkëmbyem dhe batura me njëri tjetrin dhe ishte edhe foto. Pra, si mund të mendosh që ishte foto e bashkëpunimit. Më vjen keq që aludohet, sepse duhet të jemi profesionistë dhe korrektë. Dinamo ka një trajner tjetër në punë dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Para se të aludonin për Dinamon, më parë aludonin për Partizanin. Nuk dua të ul nivelin e intervistës duke thënë do shkoj këtu apo do shkoj atje, duke bërë aludime, çdo orë ndryshohet skuadër”.

Lajmet janë të vrullshme, diku thuhet për Dinamon për shkak të fotos, diku Partizani për shkak të së shkuarës, disa thonë për Vllazninë. Si qëndron e vërteta, sa të vërteta janë këto?

“Tani, fjalët mund të qarkullojnë, por ka të vërteta dhe të pavërteta. Unë aktualisht, e them me sinqeritet të plotë, pas dy vitesh e tetë muajsh te Tirana jam lodhur shumë në aspektin sportiv dhe në këtë moment kërkoj që të rri i qetë, të qëndroj ca kohë pushim. Pushimi mund të jetë deri kur të mbarojë kontrata dhe në vartësi të asaj që unë të qartësoj idetë e mia, të qartësoj trurin tim, të rri të shfrytëzoj kohën me njerëzit që dua, të marr energji pozitive dhe jo energji negative, duke shmangur bisedat e tipit i thashë e më tha, që nuk bëjnë pjesë në karakterin tim. Kështu që kjo periudhë është periudhë pushimi për mua dhe nuk ka asnjë llojë të vërtete dhe ju lutem shumë, ty personalisht, duke mos aluduar sepse  skuadrat  e tjera i kanë trajnerët në punë. Në respekt të institucionit të trajnerit, në respekt të profesionistëve. Kanë presionin e tyre si trajneri i Vllaznisë, i Dinamos, i Partizanit, të paktën këto skuadra që përmende, t’i lëmë të qetë në punën e tyre, sepse nuk ka asgjë të vërtetë. Orges Shehi do qëndrojë në shtëpi, do qetësohet, do shpenzojë kohën me miqtë dhe familjen”.

Në fakt, unë nuk jam nga ata që aludoj, por po ua lë ju të aludoni duke u pyetur se ku mund të kishte arritur Tirana juaj në fund të këtij sezoni?

“Nuk di të bëj një projeksion, nuk e di. Di që kemi bërë mirë, çdo muaj trazicion, ikin gjashtë, vijnë shtatë. Disa për arsye se transferohen jashtë e sjellin të ardhura, disa se nuk plotësojnë atë që klubi kërkon. Kështu që edhe pas tranzicionit të madh kemi kaluar tur në Europë, në përballje shumë të forta. Tani ishim përballë një fakti që jemi tri pikë nga vendi i parë dhe me një ndeshje mangut. Nuk di se ku mund të përfundonim, por di të them se kjo periudhë e keqe që mund ti ndodhë çdokujt, edhe skuadrave të tjera, shpejt do kalohej, me ndihmën e të gjithëve, sepse ka shumë faktorë që nuk janë vetëm në dorën e trajnerit”.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Vllaznia-Egnatia, gjysmëfinalja e “Final 4, të dielën, ora 20:00, në “Air Albania”. K.F Vllaznia, njofton tifozët për shitjen e biletave

𝐍Ë 𝐕Ë𝐌𝐄𝐍𝐃𝐉𝐄! 𝐁𝐢𝐥𝐞𝐭𝐚𝐭 𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞𝐬 𝐄𝐠𝐧𝐚𝐭𝐢𝐚- 𝐕𝐥𝐥𝐚𝐳𝐧𝐢𝐚 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐞𝐧 edhe 𝐧ë 𝐒𝐡𝐤𝐨𝐝ë𝐫 Të nderuar sportdashës! Ju bëjmë me dije se duke filluar nga...
- Advertisement -spot_img