Wednesday, May 15, 2024

(Intervista) Parashikimi i Tafilit për derbin Vllaznia-Tirana: Një gol bën diferencen, fiton Vllaznia

Lexo

Krahas tifozërisë shkodrane, pragsfidën e 12 marsit Vllaznia-Tirana, po e presin me emocion edhe ishët kuqeblu. Njëri prej tyre është edhe Alsid Tafili, i cili për vite të tëra ka veshur uniformën kuqeblu. Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, Tafili është i mendimit se kjo ndeshje përfundon me një gol, dhe atë do ta shënojë Vllaznia, që sipas tij është më e etur për të marrë tre pikëshin i cili i siguron pjesëmarrjen në Europë.

Në merkaton e janarit, Tafili u bë pjesë e Tërbunit të Pukës në Kategorinë e Parë, ndaj në pjesën e fundit të intervistës së tij, ai flet edhe për përvojën që po kalon në skuadrën pukjane, e cila drejtohet nga trajneri shkodran, Elvin Beqiri.

Tafili besoj edhe ju keni emocione për pragndeshjen Vllaznia-Tirana?

Normalisht edhe unë që tani e shoh nga jashtë është një ndeshje që pritet me entuziazëm nga të gjithë. Presim të shikojmë një ndeshje të fortë, ku besoj që do të ketë ritëm dhe spektakël sepse po luajnë dy ekipe që zhvillojnë një futboll shumë të bukur. Normalisht Tirana është ekipi për t’u mundur sepse është ekipi që këtë vit ka gabuar më pak, por shpresoj që me ritmin dhe dëshirën që ka Vllaznia, të arrijë maksimumin.

Në krahasim me derbit që ju keni shijuar më herët kur luanit me Vllazninë, çfarë ndryshon këtë herë?

Edhe pse objektivat janë të ndryshme, kjo mbetet ndeshje klasike sepse të dy ekipet kërkojnë fitoren. Kjo ndeshje duhet fituar. Është një kundërshtarë i fortë dhe dëshira, motivimi dhe përkushtimi i çdo lojtari është ndryshe nga ndeshjet e tjera prandaj ky është një emocion në vete.

Rikthejmë në vëmendje një ndeshje shumë emocionuese kur Vllaznia-Tirana në “Loro Boriçi” përballeshin për mbijetesë. Keni qenë në fushën e lojës dhe Vllaznia barazoi sepse ai rezultat i duhej, duke qendruar në Superiore.

Nuk donim që as ne as Tirana të ishim në atë pozitë atë periudhë, por ashtu erdhën ngjarjet dhe përfunduam të luajmë për mbijetesë. Ka qenë një ndeshje me trysni nga të dyja skuadrat, ne arritëm të marrim rezultatin që na duhej, dhe shpëtuam.

Ajo ndeshje mbahet mend edhe për rekord tifozësh në stadium dhe që atëherë “Loro Boriçi” nuk e ka parë atë numër tifozësh.

Tani besoj që ndikojnë edhe gjëra të tjera, si pandemia, rezultatet, presidenca, dikur Bashkia, por shpresoj që të rikthehet një Vllazni që lufton për trofe dhe të rikthehen edhe tifozët.

Si e parashikoni rezultatin në shifra?

Besoj qe do të jetë një rezultat i ngushtë ku një gol do të bëjë diferencën. Besoj që do ta fitojmë ne sepse jemi në shtëpinë tonë dhe e kërkojmë më shumë fitoren që ti afrohemi vendit të tretë për Kupat e Europës.

Pas përvojës në fazën e parë me Besën e Kavajës tani po shërbeni te pukjanët e Tërbunit ku drejton shkodrani Elvin Beqiri. Jeni i kënaqur me bashkëpunimin e klubit?

Po, jam i kënaqur. Skuadra më ka mirëpritur. Është një ambjent ku mbizotëron harmonia, një grup shumë i mirë. Trajneri Beqiri ka bërë një punë shumë të mirë, është një trajner serioz dhe i përkushtuar. Deri tani ekipi është brenda objektivave që të luftojmë për play-off dhe deri tani ia kemi arritur.

Javën e kaluar u mundët nga Erzeni i Shijakut që mori kryesimin e Kampionatit. Ku luani këtë javë?

Këtë fundjavë jemi përsëri jashtë me ekipin e Beratit. Jemi afër me pikë, ne në vendin e gjashtë ato në të pestin. Ne do të shkojmë për fitore dhe shpresojmë që ta marrim dhe të kalojmë në vendin e pestë dhe të kthehet qetësia në skuadër.

Tafili faleminderit!

Faleminderit ju!

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img