Friday, May 17, 2024

(Intervista) Ish kapiteni Lika: Te Vllaznia shikoj sikur nuk ekziston ajo dëshira e duhur, entuziasmi për të luajtur futboll dhe për të marrë fitoren

Lexo

Situata në kampin kuqeblu nuk është aspak e mirë. Dy humbjet radhazi në Kampionat me skuadrat që luftojnë për mbijetese, 3-0 në transfertë me Egnatian dhe 1-2 në shtëpi me Kastriotin kanë sjellë zhgënjim të madh në opinionin sportiv shkodran. I pakënaqur me atë që po jep Vllaznia në këto javë është edhe ish futbollisti kuqeblu, sot trajner me Akademinë Bassania. Por, që gjithësesi, për ish kapitenin kuqeblu, nëse kalohen me sukses dy ndeshjet e radhës, ajo me Laçin për kampionat dhe Partizanin për Kupë, mundësitë janë për të ndryshuar për mirë.

Lika, humbja me Kastriotin në shtëpi, duket se e ka përkeqësuar situatn në kampin kuqeblu.

E kam ndjekur ndeshjen me Kastriotin, por edhe të gjitha ndeshjet që ka luajtur Vllaznia. Është shumë e saktë që skuadra po kalon një moment aspak të mirë, për të mos e thënë atë fjalën “krizë”, sepse më duket pak e rëndë si fjalë. Por, gjithësesi, e verteta është ajo që po e shikojmë të gjithë se Vllaznia po kalon një moment aspak të mirë. Humbja me Kastriotin mund të shmangej. Të them të drejtën isha shumë optimist kur shënuam golin e avantazhit dhe kisha bindjen se do të shënonim edhe 2 apo 3 gola të tjerë. Por, ndodhi e kundërta dhe më vjen keq për këtë gjë. Unë mendoj se ekipi ka shumë probleme për me dal aty ku duhet.

Kush janë disa prej këtyre problemeve që theksoni ju, që e pengojnë Vllazninë të dalë tek rezultatet pozitive?

Unë e kam deklaruar edhe para 3-4 javësh, ajo pjesa kryesore është se shikoj sikur nuk ekziston ajo dëshira e duhur, entuziasmi për të luajtur futboll dhe për të marrë fitoren. Ashtu si e kanë pasë më përpara, nuk është se po them diçka të re, por ashtu siç e kanë pasë edhe vitin e kaluar, e shikoj se mungon këto ndeshjet e fundit.

Në opinionin sportiv ka komente që edhe ndërrimi i trajnerëve ka dhënë efektin jo të mirë në këtë mes. Si mendoni ju?

Sigurisht, që edhe mund të ketë, sepse kjo është në varësi edhe te karakteri i lojtarëve. Disa, ndoshta nuk e përballojnë mirë ndërrimin e trajnerit, por mendoj se ka qënë e ditur se ndërrimi i trajnerit në këtë situatë është një “thikë me dy presa”. Por, tashmë ky është një fakt i kryer dhe nuk na mbetet gjë tjetër për të diskutuar, por t’i japim mbështetjen e duhur skuadrës për të dalë nga kjo situatë jo pozitive.  Kuptohet se është një situatë e vështirë që po kalon skuadra dhe në tërësi klubi Vllaznia, prandaj është e nevojshme mbështetja ndaj skuadrës në këtë periudhë.

Në fakt, Lika, deri vonë nga kampin kuqeblu kanë deklaruar objektivin e titullit kampion, por humbja e fundit me Kastriotin ka bërë që skuadra të rrezikojë seriozisht pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Po, ashtu ishte, si fillim primar ishte titulli kampion, por duke parë edhe ecurinë e skuadrës, ka edhe ndryshim objektivash. Ashtu, siç është Vllazni në këtë situatë, mendoj se minimale është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Por, ekipi, e kam thënë edhe më herët, i ka mundësitë të luftojë për ta mbyllur me një trofe. Duke ditur se jemi në gjysëmfinalen e Kupës, mundësitë janë që ta arrijmë Europën përmes një trofeu.

Pa shkuar tek ballafaqimi me Partizanin për gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë, të shtunën në “Loro Boriçi” vjen Laçi i vendit të dytë me trajnerin e ri Shpëtim Duro, i cili kërkon ta nisë me fitore rikthimin e tij në pankinën kurbinase.

Në këtë situatë që është Vllaznia, nuk duhet të shikojë shumë kundërshtarët. Jemi në një situatë shumë të vështirë dhe kemi nevojë të marrim fitoren kundra çdo ekipi për të rikthyer atë entuziasmin dhe situatën pozitive në ekip. Prandaj, them se ndeshja me Laçin do të jetë shumë delikate dhe kërkohet nga të gjithë një sforco maksimale për ta ndryshuar situatën dhe për të kthyer ambientin dhe gjendjen e mirë psikologjike siç ka qënë edhe më përpara.

Një fitore me Laçin në javën e 28-të të Kampionatit dhe kualifikim në finalen e Kupës së Shqipërisë do të ishte ana më e mirë e medaljes për të shpëtuar sezonin.

Po, tekstualisht ashtu është, që nëse ndodhë kështu, atëherë do të ndryshojë tërësisht situata dhe nuk do të flitej më për krizë te Vllaznia. Prandaj, duhet pak më shumë angazhim në gjirin e skuadrës dhe të klubit, gjithësecili duhet të japë 120 përqind për ta kalu këtë situatë. Sepse janë dy ndeshje shumë të shpejta, dhe mund të kthehet situata, nga një gjendje e vështirë, në një situatë pozitive brenda një jave.

Por, nëse ndodhë e kundërta, atëherë problemet thellohen edhe më shumë.

Padiskutim që nëse nuk arrijnë t’i kalojnë me sukses këto dy ndeshje, atëherë do të ishte një dështim total këtë vitë, por shpresojmë që të mos ndodhë dhe dëshiroj të jem optimist duke menduar më të mirën.

Si ish kapiten i Vllaznisë, por edhe si trajner në detyrë aktualisht në Akademinë Bassania, cili do të ishte një mesazh, rekomandim, apo orientim për kolegët tuaj të pankinës, apo për vetë futbollistët?

Do të dal tek ajo fjalë që e thashë më përpara, që lojtarët në fushë duhet të japin diçka më tepër nga vetja e tyre për të kaluar këtë situatë. Pra, është një moment që kanë nevojë, jo për 100 për qindëshin, por të japin 120 përqindëshin nga vetja e tyre për ta kaluar këtë situatë. Mos të rrinë duke dëgjuar shumë këto rrjetet sociale, dhe nëse e merr dikush këtë këshillë mendoj se është e vlefshme, pasi dihet që ambienti, jo në Shkodër, por gjithkund, kur nuk ke rezultate, është i vështirë. Dhe, qëndrimi i gjatë në këto rrjete sociale mendoj se ka një ndikim shumë të madh negative tek çdo pjesëtar i KF Vllaznia. Kështu, që duke i lënë mënjanë këtë pjesë, të përqëndrohen te puna për të marrë rezultatet pozitive.

G. Marku

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img