Thursday, April 25, 2024

(Intervista) Trajnerët Kadiu dhe Dalipi flasin pas ndeshjes Luzi 2-0 Lushnja

Lexo

Fitore shumë e rëndësishme e Luzit përballë Lushnjes. Golat e Trenit dhe Gjinajt i dhanë 3 pikët kavajasve që i ndihmon në arritjen e objektivave. Trjaneri Bledi Kadiu foli për Oversport:

“Jam shumë i kënaqur, jo vetëm me rezultatin, por edhe me lojën. E kemi thënë edhe më parë që ky ekip meriton më shumë edhe në renditje. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por ne ja dolëm mbanë dhe është një fitore që na qetëson shumë.

Fundi i kampionatit është gjithmonë me skuadrat që bëjnë llogaritë e veta. Me këtë fitore duke marrë parasysh edhe 3-pikëshin e Tërbunit që e kemi të sigurt pas dy javësh, do të shohim për lart dhe jo për poshtë. Të shohim kë skuadër do të kapin, sepse siç i thonë oreksi vjen me të ngrëne. Ecim hap pas hapi, objektiv kemi sfidën e radhës.

Nuk është se ne menduam vetëm për këtë ndeshje për të sulmuar, ne mendojmë për çdo ndeshje për të sulmuar. Ne kemi një ekip që gjatë gjithë kohës sulmon dhe mban topin. Sot e treguam shumë mirë duke parë edhe kundërshtarin që nuk ishte në nivelin e tyre më të mirë.

Ia dedikoj këtë fitore tifozëve, lojtarëve, si dhe familjes time. E shikoja ekipin që kishte dëshirë dhe që punonte mirë. Mendoj se në këtë pozicion që është mund të ishte dhe më lartë. Tani jemi lartë dhe shpresoj të ecim edhe më shumë”, u shpreh trajneri i Luzit.

Humbja ndaj Luzit rikthen Lushnjen te vuajtjet teksa është në pozita shumë të vështira për të qendruar në Kategorinë e Parë. Trajneri Klevis Dalipi foli pas ndeshjes për Oversport:

“Është një lojtar që ka një peshë shumë të madhe në skuadrën tonë. Aq më tepër që ndodhi përpara ndeshjes për një problem muskular. Së bashku me Pepën përbën linjën e sulmit tonë. Është një sulmues me eksperiencë, mban mirë topin dhe na nxjerr përpara. Është një lojtar që na krijon shumë befasi për kundërshtarin përpara.

Goli i parë që morrëm ishte një aksion pa shumë pretendime nga kundërshtari dhe ndryshoi shumë rrjedhën e lojës. Ishte një gol që mund të shmangej. Unë kam rezervat e mia për disa lojtarë që kërkojnë shumë të luajnë, por unë e kam thënë që kampionati është i gjatë dhe do të vijë momenti për të zëvendësuar lojtarët me peshë.

Nuk e bënë dot këtë gjë. I provova të gjitha ndërrimet, mund të kishim shënuar për të ngushtuar rezultatin, por unë jam i pakënaqur. Në rradhë të parë marr përgjegjësitë vetë sepse jam trajneri. Erdha me misionin për të siguruar mbijetesën dhe unë jam i pari që marr përgjegjësi, por që kërkoj nga të gjithë që të na kuptojnë që në këtë moment që jemi ne na nevojiten më shumë pikët se sa loja e bukur.

Sot Luzi nuk vodhi asgjë, meritoi gjithçka jo më kot është në pozitat ku ndodhet. Megjithatë, dua që gjatë kësaj kohe të rregullojmë ato pjesë të vogla që bëjnë dallimin në ndeshje si e sotmja. Na presin shumë ndeshje të vështira, përveç me Tërbunin që fatkeqisht për atë çka ndodhi për ta, por na vjen për shtat ne që na ndihmon më shumë. Na presin tre sifda shumë të vështira.

Në sfidat e radhës duhet të punojmë shumë sepse në këto momente nuk mund të bëjmë lojë spektakolare. Lojtarët duhet të bëjnë atë që unë kërkoj. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse në Kategorinë e Parë detajet bëjnë diferencën. Skuadra është e papërgatitur fizikisht pasi shumë lojtarë nuk kanë bërë shumë përgatitje. Skuadra gjithashtu është e dënuar edhe nga mungesat e ndryshme. Megjithatë, unë nuk jam dorëzuar dhe i siguroj tifozëve të Lushnjes që do të bëjë gjithçka të qëndrojmë në këtë Kategori”, tha Dalipi.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img